FOKUS – Herzog propozon një takim trepalësh Izrael–Qipro–Liban
NIKOZI, 10 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka shprehur dëshirën për zhvillimin e një takimi të përbashkët me presidentët e Libanit dhe Qipros, në një përpjekje për të nxitur dialogun në një rajon të tensionuar.
Gjatë një vizite pune sot në Qipro, presidenti Herzog e bëri propozimin gjatë takimit me homologun e tij qipriot, Nikos Christodoulides.
“Ëndrra ime është që të mund të takohemi me presidentin e Libanit dhe presidentin e Qipros dhe presidentin e Izraelit, madje edhe këtu”, tha Herzog, sipas transmetuesit publik qipriot RIK.
Propozimi vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Izraelit dhe Libanit mbeten tejet të tensionuara.
Izraeli dhe organizata islamike Hezbollah, me bazë në Liban, kanë qenë në konflikt prej vitesh, ndërsa përshkallëzimi i luftës në Gaza e ka rënduar më tej situatën.
Edhe pse qeveria libaneze nuk është palë në konfliktin me Izraelin, dy vendet vazhdojnë zyrtarisht të jenë në gjendje lufte.
Megjithatë, që nga mesi i prillit, përfaqësues të dy qeverive kanë zhvilluar bisedime politike për herë të parë pas disa dekadash, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deri tani, këto kontakte janë zhvilluar në nivel ambasadorësh.
Kufiri Izrael–Liban mbetet një nga pikat më të rrezikshme të tensionit në Lindjen e Mesme.
Çdo përshkallëzim atje mund të ketë pasoja më të gjera për stabilitetin e rajonit.
Qiproja ndodhet vetëm rreth 200 kilometra nga brigjet e Libanit dhe mban marrëdhënie të ngushta si me Izraelin, ashtu edhe me Libanin.
Për këtë arsye, qeveria e presidentit Christodoulides po përpiqet ta pozicionojë Qipron si ndërmjetësuese dhe urë komunikimi në rajon.
Një takim i drejtpërdrejtë mes liderëve të tre vendeve do të ishte një zhvillim i rëndësishëm diplomatik, megjithëse realizimi i tij do të përballej me pengesa të konsiderueshme për shkak të gjendjes së marrëdhënieve mes Izraelit dhe Libanit



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.