FOKUS – Hyn në fuqi ndalimi i SHBA-së për importet nga Kanadaja me vlerë 1 miliard dollarë
UASHINGTON, 29 shtator /ATSH – AA/- Ndalimi i SHBA-së për importet me vlerë rreth 1 miliard dollarë nga Kanadaja, përfshirë pijet alkoolike, produktet e qumështit dhe automjetet, hyri sot në fuqi.
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi urdhër ekzekutiv që ndalon shitjen e disa mallrave të importuara nga Kanadaja në SHBA.
Ndërsa kufizimi për produktet me vlerë gati 1 miliard dollarë nuk pritet të krijojë ndikim të madh ekonomik krahasuar me vëllimin vjetor të tregtisë dypalëshe prej 880 miliardë dollarësh midis dy vendeve, ky zhvillim shënon fazë të re në mosmarrëveshjet e vazhdueshme tregtare me Kanadanë, një aleat dhe partner tregtar i hershëm i SHBA-së.
Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer tha se këto masa janë një rezultat i drejtpërdrejtë i trajtimit diskriminues të Kanadasë ndaj eksporteve kritike amerikane. Lista e mallrave të ndaluara të importuara nga Kanadaja përfshin pije alkoolike të zgjedhura, produkte qumështi dhe automjete motorike.
Në korrik, administrata amerikane njoftoi se do të aplikonte tarifë prej 50 për qind për disa mallra kanadeze, duke pretenduar se Otava është përfshirë në praktika diskriminuese kundër produkteve amerikane dhe këto tarifa hynë në fuqi më 22 gusht.
Në përgjigje, qeveria kanadeze njoftoi tarifa prej 15 për qind, 25 për qind ose 50 për qind për disa produkte amerikane, të cilat hynë në fuqi më 8 shtator.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.