Ivan Vukoviç (DPS) mohon lidhjet me bartësin e Listës Studentore: «As nuk e dija që punoja për ANB-në»
Në reagimin e tij, Vukoviç tha se në Novi Sad kishte qenë për herë të fundit në vitin 2006, në koncertin e Stingut
Nënpresidenti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Malit të Zi, Ivan Vukoviç, ka mohuar të martën se ka pasur ndonjë lidhje me bartësin e Listës Studentore në Serbi, Ilija Srdanoviqin, apo me rekrutimin e tij nga shërbimi sekret malazez, siç njofton Nova.rs.
Duke komentuar një video të organizatës novosadase «Centar za društvenu stabilnost», ku pretendohet se Srdanoviqin e ka angazhuar Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Malit të Zi (ANB) dhe se personi i kontaktit ka qenë Vukoviçi, ai shkroi në rrjetin X se për bartësin e Listës Studentore në Serbi nuk kishte dëgjuar derisa emri i tij u shfaq në media së fundmi — dhe se as nuk e dinte që «punonte për ANB-në».
«Organizata që u bë e famshme me dokumentarin ku gjyshet tona paraqiten si prostituta italiane, shkëlqen sërish. Në veprën e re, jam paraqitur si njeriu kyç për lidhjen e ANB-së me bartësin e Listës Studentore për zgjedhjet në Serbi. Gjoja jemi takuar në Novi Sad e kështu me radhë», shkroi Vukoviç, duke shtuar me ironi se në Novi Sad kishte qenë për herë të fundit në vitin 2006, në koncertin e Stingut.
«Shaka mënjanë, i gjorë është politikani që e mbrojnë kështu këto fantazma», përfundoi Vukoviç, sipas raportimit të portalit malazez Vijesti, të cituar nga Nova.rs.
Srdanoviq, mjek nga Novi Sadi, është bartësi i listës «Studentët fitojnë» për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi, e shpallur nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve me numrin 3 në fletëvotim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.