FOKUS – Irani ngre alarmin për pasojat mjedisore të luftës
TEHERAN, 11 tetor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka dënuar pasojat mjedisore të sulmeve izraelito-amerikane ndaj vendit të tij, duke paralajmëruar se dëmet mund të ndihen për vite ose edhe dekada pas përfundimit të luftimeve.
Duke folur sot në një konferencë në Teheran, të titulluar “Ekocidi”, Araghchi deklaroi se sulmet ajrore ndaj objekteve energjetike dhe naftës në Iran kanë krijuar rreziqe të konsiderueshme për mjedisin.
Sipas ministrit, shkatërrimi i burimeve ujore dhe tokësore, ndotja e ajrit, si dhe dëmtimi i bimësisë dhe ekosistemeve janë ndër pasojat më shqetësuese të konfliktit.
Ai paralajmëroi se këto dëme mund të vazhdojnë për vite, madje edhe për dekada, pasi të kenë përfunduar armiqësitë, duke vënë në dukje ndikimin afatgjatë të luftës mbi natyrën dhe burimet jetike.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj pasojave mjedisore të luftërave”, u shpreh Araghchi, sipas transkriptit të fjalimit të publikuar nga Ministria e Jashtme iraniane.
Araghchi vuri në dukje gjithashtu ndotjen e mundshme të shkaktuar nga dëmtimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit, ku derdhjet e karburantit kanë ndotur ujërat e kësaj rruge detare strategjike.
Ngushtica e Hormuzit është një korridor i rëndësishëm për transportin ndërkombëtar të naftës dhe produkteve energjetike.
Dëmtimi i mjedisit detar në këtë zonë mund të shtojë pasojat ekologjike të konfliktit, duke rrezikuar ekosistemet ujore dhe duke e bërë më të vështirë rikuperimin e mjedisit pas përfundimit të luftimeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.