XHIBUTI – Të paktën 109 emigrantë të vdekur dhe 116 të zhdukur pas fundosjes së një varke
NAJROBI, 11 tetor /ATSH-AFP/- Të paktën 109 emigrantë, mes tyre 15 fëmijë, kanë humbur jetën dhe 116 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me rreth 350 persona në bord u përmbys pranë brigjeve të Xhibutit, gjatë udhëtimit drejt Jemenit, bëri të ditur sot Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, varka u përmbys gjatë natës së 8 dhe 9 tetorit, në veri të qytetit Obock, në Xhibuti.
Në bord ndodheshin qindra emigrantë që po përpiqeshin të kalonin përmes ngushticës së Bab el-Mandebit, për të mbërritur në Jemen dhe më pas për të vazhduar drejt vendeve të Gjirit.
Nga 109 trupat e gjetur deri më tani, 52 janë burra, 42 gra dhe 15 fëmijë, përfshirë nëntë vajza dhe gjashtë djem.
Më shumë se 80 persona arritën të mbijetonin nga mbytja e varkës.
Sipas IOM-it, të gjithë të mbijetuarit janë shtetas etiopianë.
Ekipet e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin po punojnë në terren së bashku me autoritetet vendase për të ofruar ndihmë emergjente.
Shefi i misionit të IOM-it në Xhibuti, Alexandre Coissac, e cilësoi ngjarjen si një humbje shkatërruese jetësh, duke shprehur solidaritet me të mbijetuarit dhe familjet që kanë humbur të afërmit ose ende nuk kanë informacion për fatin e tyre.
Organizata paralajmëroi se kjo tragjedi nxjerr edhe një herë në pah rreziqet e mëdha me të cilat përballen emigrantët përgjatë kësaj rruge detare.
Pavarësisht rreziqeve, shumë prej tyre ndërmarrin udhëtime të tilla në kërkim të mundësive më të mira ekonomike dhe kushteve më të sigurta të jetesës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.