FOKUS – Miliona italianë në protesta, studentë, punonjës dhe pensionistë kundër politikave të qeverisë
ROMË, 30 tetor (ATSH) – Një milionë e gjysmë persona, sipas vlerësimeve të sindikatës USB, morën pjesë në protestat e zhvilluara në më shumë se 60 qytete të Italisë, në kuadër të grevës së përgjithshme kundër riarmatimit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Në marshime morën pjesë studentë, punonjës, fermerë, pensionistë, familje dhe përfaqësues të lëvizjeve sociale e sindikatave bazë
Mes protestuesve kishte edhe fëmijë të vegjël në karroca, të shtyra nga nënat e tyre, si dhe nxënës të shkollave fillore që mbanin pankarta me mesazhe kundër politikave që, sipas tyre, rrezikojnë të ardhmen.
Protestat u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore, por në mbrëmje situata u tensionua në Romë dhe Torino, ku pati përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, hedhje shishesh, ndërhyrje të policisë me gaz dhe përdorim të autoboteve me ujë.
Sipas organizatorëve, në protestë morën pjesë rreth 1.5 milionë persona, me një prani të konsiderueshme të studentëve dhe të rinjve. Sindikata USB deklaroi se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Në kryeqytetin italian, një grup protestuesish u shkëput nga marshimi kryesor pranë Koloseut, duke hedhur objekte drejt policisë dhe duke u vënë zjarrin disa koshave të mbeturinave. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë grupin.
Tensione u regjistruan edhe në Mestre, ku shtatë efektivë policie mbetën të lënduar gjatë përpjekjeve të protestuesve për të çarë kordonin e sigurisë, si dhe në Vicenza, ku dhjetë persona, mes protestuesve dhe policëve, pësuan lëndime gjatë përplasjeve pranë autostradës.
Në Milano, protesta shkaktoi bllokimin e një pjese të unazës lindore për rreth një orë e gjysmë. Pas marshimit, në anë të rrugës u shfaqën mbishkrime kërcënuese ndaj kryeministres Giorgia Meloni dhe zëvendëskryeministrit Matteo Salvini.
Mobilizimi u shtri edhe në porte, ku mbi 100 struktura portuale në 17 vende iu bashkuan nismës sindikale kundër trafikut të armëve. Në Genova dhe Napoli, studentë dhe punonjës marshuan në zonat portuale pa shkaktuar incidente.
Ministria e Brendshme italiane kishte vendosur masa të shtuara sigurie, në bashkëpunim me prefekturat dhe drejtuesit e forcave të rendit, me synimin për të garantuar të drejtën e protestës paqësore dhe për të izoluar grupet e dhunshme.
Në shumicën e qyteteve, tubimet përfunduan pa incidente të rëndësishme dhe pa përplasje mes protestuesve dhe policisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.