VILNIUS – Pesë raste plagjiature në doktoraturën e kryeministrit të Lituanisë
VILNIUS, 30 tetor /ATSH-DPA/- Komisioni Akademik në Lituani deklaroi sot se nuk ka gjetur arsye të mjaftueshme për t’i hequr titullin e doktorit, kryeministrit Mindaugas Sinkevicius, pas akuzave për plagjiaturë.
Megjithatë, komisioni kërkon që ai të rishikojë punimin e doktoraturës dhe të korrigjojë gabimet e rëndësishme në formatim.
Gjatë shqyrtimit të akuzave të ngritura në fillim të këtij viti, Universiteti ISM i Menaxhimit dhe Ekonomisë në kryeqytetin Vilnius konstatoi se në punimin e kryeministrit, kishte shkelje të konsiderueshme të rregullave të shkrimit akademik, citimit dhe referimit të burimeve.
Sipas komisionit hetimor të ngritur nga universiteti, këto shkelje duhet të korrigjohen brenda gjashtë muajve.
Megjithatë, ato nuk konsiderohen aq të rënda sa të justifikojnë masa më drastike ndaj kryeministrit.
Sinkevicius mori titullin e doktorit në vitin 2015, me një disertacion që trajtonte konsumin e alkoolit.
Kryeministri 42-vjeçar i ka pranuar shkeljet në një reagim në “Facebook” dhe është zotuar se do të publikojë një version të korrigjuar të punimit, me citime dhe referenca të rishikuara, i cili do të jetë i aksesueshëm për publikun.
Duke iu referuar raportit të komisionit, mediet lituaneze, raportuan se në punim ishin identifikuar pesë raste plagjiature dhe dy raste të përdorimit të papranueshëm të tekstit të autorëve të tjerë.
Hetimi nisi gjatë verës, pas debatit publik dhe akuzave për plagjiaturë ndaj disertacionit të kryeministrit.
Universiteti mori tri ankesa lidhur me këtë çështje, çka e shtyu të nisë shqyrtimin e punimit.
Kreu i Partisë Socialdemokrate të Lituanisë, i cili mori detyrën e kryeministrit në korrik, ka deklaruar vazhdimisht se e ka përgatitur punimin në mënyrë etike dhe ka hedhur poshtë akuzat për plagjiaturë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.