“Tgcom24”: Tragjedia ajrore në Bosnjë-Hercegovinë, dyshime për defekt në rotorët e helikopterit
– Dyshimi për një defekt teknik në njërin prej rotorëve është pista kryesore që po hetohet për rrëzimin e helikopterit ushtarak italian në Bosnjë-Hercegovinë, ku humbën jetën katër persona dhe 11 të tjerë mbetën të plagosur, raportoi “Tgcom24”.
Sipas raportimeve të medias italiane, një nga mundësitë që po shqyrtohet është bllokimi i njërit prej dy rotorëve të helikopterit ose ndryshimi i drejtimit të rrotullimit të tij, çka mund të ketë shkaktuar humbjen e kontrollit të mjetit fluturues.
Pamjet filmike të publikuara nga vendngjarja, tregojnë se helikopteri u ngrit vetëm disa metra nga toka, filloi të rrotullohej në mënyrë të pakontrolluar rreth vetes dhe më pas u rrëzua.
Ekspertët shpjegojnë se helikopteri i tipit “CH-47F Chinook”, ka dy rotorë të vendosur njëri pas tjetrit, të cilët rrotullohen në drejtime të kundërta.
Ky mekanizëm ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit gjatë fluturimit.
Nëse njëri prej tyre pëson defekt ose ndalon së funksionuari siç duhet, helikopteri mund të humbasë stabilitetin dhe të fillojë të rrotullohet në mënyrë të pakontrolluar.
Një tjetër pistë që është përmendur në hetime është mundësia e përplasjes me kabllo të tensionit të lartë gjatë ngritjes, ndërsa gabimi njerëzor nuk është përjashtuar zyrtarisht.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.
Për këtë do të nevojiten dëshmitë e 11 personave që i mbijetuan rrëzimit, si dhe analizimi i të dhënave të regjistruara gjatë fluturimit dhe i mbetjeve të helikopterit.
Hetimet mund të zgjasin disa javë ose edhe muaj.
Katër viktimat dhe 11 të plagosurit
Aksidenti ndodhi pasditen e djeshme, më 29 tetor, pranë qytetit të Brçkos, në veri të Bosnjë-Hercegovinës.
Në bordin e helikopterit ndodheshin 15 persona.
Katër prej tyre humbën jetën: dy ushtarakë italianë, rreshterët Simone Ruggia dhe Claudio Marchesi, si dhe dy pjesëtarë të Trupave Vullnetare Ushtarake të Kryqit të Kuq Italian, togeri Franco Adriano Zecchillo dhe rreshterja Laura Procacci.
Ndërsa 11 personat e tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas autoriteteve, asnjëri prej tyre nuk ndodhej në rrezik për jetën.
Helikopteri ishte pjesë e misionit evropian në Bosnjë
Helikopteri “CH-47F Chinook” ishte angazhuar në misionin paqeruajtës të Bashkimit Evropian, “EUFOR Althea”, dhe po kryente një aktivitet të zakonshëm stërvitor.
Misioni “EUFOR Althea” nisi në vitin 2004, duke marrë përsipër përgjegjësitë për mbështetjen e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 1992-1995.
Aktualisht, në këtë mision marrin pjesë rreth 1 600 ushtarakë nga 24 shtete, ndërsa Italia ka kontingjentin më të madh, me rreth 300 pjesëtarë.
Ministria italiane e Mbrojtjes ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Edhe autoritetet e EUFOR-it, kanë njoftuar se po kryejnë një hetim të plotë për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto kanë shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.