FOKUS – OBSH: E pamundur përhapja e virusit Shamonda te njerëzit
GJENEVË, 23 tetor /ATSH-DPA/ – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk pret një shpërthim më të gjerë të virusit Shamonda, pas vdekjes së një burri në Francë, në rastin e parë të dokumentuar të infektimit të njeriut nga ky virus.
Sipas zëdhënësit të OBSH-së, Christian Lindmeier, informacionet e disponueshme dhe njohuritë mbi viruset e ngjashme sugjerojnë se rasti në Francë është i izoluar.
Ai theksoi se për momentin përhapja e mëtejshme konsiderohet e pamundur, megjithëse organizata nuk ka përgatitur ende një vlerësim zyrtar të rrezikut.
Sipas Ministrisë Franceze të Bujqësisë, personi i infektuar ndërroi jetë në fillim të tetorit.
Ai thuhet se vuante nga një imunodefiçencë e rëndë, e cila dobëson ndjeshëm aftësinë e organizmit për t’u mbrojtur nga agjentët infektivë.
Martin Beer, ekspert në Institutin “Friedrich Loeffler” në Gjermani, shpjegoi se një sistem imunitar shumë i dobësuar mund të lehtësojë infektimin dhe shumimin e virusit në organizëm.
Deri më tani, virusi Shamonda ishte zbuluar vetëm te kafshët, përfshirë gjedhët dhe kuajt.
Dyshohet se burri në Francën lindore u infektua nga një insekt i vogël pickues, i ngjashëm me mushkonjën. Infeksione të kafshëve me këtë virus ishin raportuar më herët gjatë vitit në të njëjtin rajon.
Sipas OBSH-së, transmetimi i viruseve nga këta insekte priret të ulet gjatë stinëve më të ftohta.
Instituti “Friedrich Loeffler” bën të ditur se insektet janë të përhapura në Evropën Qendrore dhe zakonisht janë aktive nga prilli deri në nëntor.
Ato shumohen më mirë në temperatura nga 25 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa për shumimin e virusit brenda tyre nevojiten temperatura mbi 12–15 gradë.
Në Gjermani, virusi Shamonda u zbulua për herë të parë te gjedhët në mesin e këtij viti.
Që atëherë, raste te kafshët janë evidentuar edhe në Austri, Zvicër, Belgjikë, Luksemburg, Holandë, Spanjë, Portugali, Itali dhe Irlandë.
Pavarësisht këtij përhapjeje te kafshët, autoritetet shëndetësore vlerësojnë se, bazuar në të dhënat aktuale, rreziku i një përhapjeje të gjerë te njerëzit mbetet i ulët. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.