FOKUS – Pesë liderë evropianë kërkojnë forcimin e marrëdhënieve BE-BM
– Pesë liderë evropianë kanë bërë thirrje për forcimin e marrëdhënieve dhe thellimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, në prag të samitit që do të zhvillohet në Bruksel, sipas “The Guardian”.
Nisma synon të nxisë afrimin mes palëve, në një kohë kur sfidat e përbashkëta politike, ekonomike dhe të sigurisë kërkojnë koordinim më të ngushtë evropian.
Thirrja vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Londrës dhe Brukselit po marrin rëndësi të veçantë për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.
Pavarësisht largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja përmes Brexit-it, të dyja palët mbeten të lidhura nga interesa të përbashkëta, veçanërisht në fushën e energjisë, tregtisë dhe mbrojtjes.
Nisma është mbështetur nga kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri holandez Rob Jetten, kryeministri belg Bart De Wever, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen.
Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ata kërkojnë përparim në negociatat për pjesëmarrjen britanike në tregun e përbashkët të energjisë elektrike.
Liderët argumentojnë se afrimi në sektorin energjetik do të ndihmonte në shfrytëzimin më të mirë të potencialit të Detit të Veriut, me synimin për ta shndërruar atë në një qendër globale të energjisë së pastër.
Rikthimi i Britanisë së Madhe në tregun e përbashkët të energjisë elektrike do të mundësonte bashkëpunim më të madh në zhvillimin e infrastrukturës dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme, veçanërisht atë të prodhuar nga parqet eolike në det të hapur.
Megjithatë, negociatat përballen me pengesa financiare dhe politike.
Pjesëmarrja në tregun energjetik të BE-së mund t’i kërkojë Londrës të kontribuojë në buxhetin evropian, përfshirë fondet e kohezionit për rajonet më pak të zhvilluara.
Mosmarrëveshje të ngjashme financiare kishin penguar më parë negociatat për përfshirjen britanike në një fond evropian të mbrojtjes me vlerë 150 miliardë euro.
Ndërkohë, sipas organizatës “Energy UK”, ruajtja e marrëdhënieve aktuale energjetike mund t’i kushtojë Britanisë së Madhe rreth 10 miliardë paund gjatë periudhës 2024–2029.
Samiti BE–Britani e Madhe, i parashikuar të mbahet më 20 nëntor, pritet të trajtojë edhe bashkëpunimin në tregtinë e produkteve ushqimore dhe pijeve, emetimet e karbonit, shkëmbimet rinore dhe sigurinë.
Kryeministri britanik Andy Burnham ka shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar mundësi të reja afrimi me BE-në, në një përpjekje për të reduktuar pengesat tregtare dhe për të përmirësuar marrëdhëniet pas Brexit-it. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.