🌤️
Tiranë 33°C · Kryesisht kthjellët 14 August 2026
S&P 500 7,799 ▲0.65%
DOW 53,840 ▲0.13%
NASDAQ 26,803 ▲0.81%
NAFTA 82.52 ▲1.56%
ARI 4,404 ▼0.37%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1532 EUR/GBP 0.8548 EUR/CHF 0.9382 EUR/ALL 92.9462 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3277 EUR/TRY 55.1526 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.6070 EUR/USD 1.1532 EUR/GBP 0.8548 EUR/CHF 0.9382 EUR/ALL 92.9462 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3277 EUR/TRY 55.1526 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.6070
₿ CRYPTO
BTC $62,894 ▼ -1.28% ETH $1,877 ▼ -0.55% XRP $1.0059 ▼ -0.63% SOL $75.7900 ▼ -0.46%
S&P 500 7,799 ▲0.65 % DOW 53,840 ▲0.13 % NASDAQ 26,803 ▲0.81 % NAFTA 82.52 ▲1.56 % ARI 4,404 ▼0.37 % S&P 500 7,799 ▲0.65 % DOW 53,840 ▲0.13 % NASDAQ 26,803 ▲0.81 % NAFTA 82.52 ▲1.56 % ARI 4,404 ▼0.37 %
EUR/USD 1.1532 EUR/GBP 0.8548 EUR/CHF 0.9382 EUR/ALL 92.9462 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3277 EUR/TRY 55.1526 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.6070 EUR/USD 1.1532 EUR/GBP 0.8548 EUR/CHF 0.9382 EUR/ALL 92.9462 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3277 EUR/TRY 55.1526 EUR/JPY 183.84 EUR/CAD 1.6070
14 Aug 2026
Breaking
Bota

FOKUS – SHBA intensifikon ofensivën ndaj Iranit

UASHINGTON/TEHERAN, 20 korrik /ATSH-DPA/ – Ushtria amerikane njoftoi se ka përfunduar valën më të fundit të sulmeve ndaj objektivave në Iran, duke shënuar natën e nëntë radhazi të operacioneve ushtarake.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), objektivat e goditura përfshinin qendra komanduese ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, objekte të vëzhgimit bregdetar, vende lëshimi raketash dhe dronësh, si edhe rrjete komunikimi.

CENTCOM deklaroi se operacioni kishte për qëllim të dobësonte më tej kapacitetet ushtarake që, sipas SHBA-së, Irani i ka përdorur për të sulmuar anije tregtare dhe ekuipazhe civile në Ngushticën e Hormuzit.

Pas fillimit të sulmeve, mediat iraniane raportuan shpërthime në disa pjesë të vendit. Agjencia iraniane Tasnim njoftoi për shpërthime në qytetin verior të Tabrizit, në portin e Çabaharit në Gjirin e Omanit, në Konarak të provincës Sistan-Baluchestan, si edhe në qytetet portuale Mahshahr dhe Bandar Imam Khomeini, në provincën Khuzestan.

Ndërkohë, Irani vazhdoi sulmet hakmarrëse ndaj vendeve që strehojnë baza ushtarake amerikane. Autoritetet e Kuvajtit njoftuan se mbrojtja ajrore e vendit ka interceptuar dronë të lëshuar nga Irani gjatë orëve të para të së hënës.

Sirena alarmi u dëgjuan sërish edhe në Bahrein, një tjetër aleat i SHBA-së që strehon forca ushtarake amerikane, konfirmoi Ministria e Brendshme e këtij vendi.

Ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar sulmet ndaj objektivave iraniane, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj vendeve që presin baza amerikane në rajon.

Përshkallëzimi i konfliktit ka rritur gjithashtu rrezikun për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të energjisë.

Qendra britanike UK Maritime Trade Operations (UKMTO) njoftoi se një anije është përfshirë nga flakët në këtë zonë detare. Sipas autoriteteve britanike, shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar.

Incidenti ndodhi rreth 8 milje detare (15 kilometra) në veriperëndim të Kumzarit, në Oman. UKMTO u bëri thirrje anijeve që kalojnë në këtë zonë të tregojnë kujdes maksimal ndërsa hetimet vazhdojnë.

Sipas mediave amerikane, Uashingtoni po dërgon avionë shtesë luftarakë dhe mjete ajrore për furnizim me karburant në Lindjen e Mesme, në përgjigje të përshkallëzimit të fundit.

Konflikti për kontrollin e kësaj rruge strategjike të transportit të naftës është intensifikuar që nga fillimi i muajit.

Ushtria amerikane raportoi gjithashtu se numri i ushtarakëve të vrarë në konflikt ka arritur në 17.

Të shtunën u njoftua vdekja e dy ushtarakëve amerikanë në sulme iraniane, ndërsa të dielën CENTCOM konfirmoi se një tjetër ushtarak humbi jetën në veri të Irakut gjatë çaktivizimit të municioneve të pashpërthyera nga një dron iranian i rrëzuar. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të viktimave të konfirmuara amerikane në 17./  /Ad.Ab./ a.jor.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.