IQMT-ja realizon 23 inspektime kundër parregullsive në shitjet online
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka nisur një aksion të përbashkët për të mbikëqyrur shitjet e produkteve përmes platformave online.
Aksioni është përqendruar në produktet që transportohen drejt konsumatorëve përmes shërbimeve postare, me fokus në verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së bizneseve që merren me shitje online.
Gjatë inspektimeve, ekipet po verifikojnë nëse bizneset janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), nëse për produktet e shitura lëshohen kuponë fiskalë, si dhe nëse ato shoqërohen me deklaracionin e prejardhjes dhe dokumentacionin tjetër të kërkuar me ligj.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga IQMT-ja, gjatë ditës së parë të aksionit janë realizuar gjithsej 23 inspektime. Prej tyre, gjashtë lëndë janë përfunduar, ndërsa 17 të tjera mbeten në procedurë.
Në këtë aksion janë angazhuar 11 ekipe inspektuese, të cilat kanë vepruar në tetë komunat kryesore të Kosovës.
IQMT-ja ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet partnere, do të vazhdojë aktivitete të tilla me qëllim të garantimit të konkurrencës së drejtë, mbrojtjes së konsumatorëve, parandalimit të praktikave të paligjshme tregtare dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.