FOKUS – SHBA-ja tërheq të gjithë bombarduesit nga baza “RAF Fairford” në BM
UASHINGTON, 5 tetor /ATSH-/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr të gjithë bombarduesit amerikanë, që ishin të dislokuar në bazën ajrore britanike ‘RAF Fairford” dhe i kanë rikthyer në bazat e tyre në territorin amerikan, konfirmoi sot Pentagoni, raportoi “Reuters”.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Mbrojtjes tha se, për shkak të kërkesave të sigurisë operacionale, ushtria amerikane nuk kishte konfirmuar në kohë reale lëvizjen e avionëve dhe forcave të saj.
Megjithatë, SHBA-ja tani konfirmon se të gjithë bombarduesit amerikanë, që ndodheshin në “RAF Fairford” janë rikthyer në bazat e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tërheqja u krye dje, ndërsa rreth 12 bombardues “B-1B Lancer” u panë duke u larguar nga baza në Gloucestershire dhe duke u nisur drejt SHBA-së.
Forcat Ajrore amerikane theksuan se bombarduesit amerikanë operojnë rregullisht në vende të ndryshme të botës, në kuadër të përgatitjes së forcave dhe përmbushjes së kërkesave operacionale.
Sipas deklaratës së Pentagonit, personeli që operon flotën amerikane të bombarduesve, përfshirë B-1, B-2 dhe B-52, mbetet i gatshëm për të kryer misione sulmi me precizion në nivel global.
Ushtria amerikane nënvizoi se këto misione mund të nisen dhe të përfundojnë edhe nga bazat në territorin kontinental të SHBA-së, duke ruajtur aftësinë për të vepruar “kudo dhe në çdo kohë”.
Tërheqja e bombarduesve nga “RAF Fairford” vjen pas një incidenti serioz të sigurisë pranë bazës në fund të shtatorit.
Më 27 shtator, autoritetet britanike arrestuan pesë persona nën dyshimin për vepra të lidhura me terrorizmin pranë bazës.
Policia gjeti një sasi lënde përshpejtuese, përfshirë benzinë, por nuk gjeti eksplozivë. Të pestë janë liruar më pas me kusht.
Më vonë, autoritetet britanike arrestuan edhe një shtetas 25-vjeçar me shtetësi britanike dhe iraniane në Londër, nën dyshimin se kishte planifikuar një sulm terrorist të lidhur me incidentin. Edhe ai është liruar me kusht, ndërsa hetimi vijon.
Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se ka “tregues të fortë” se Irani ka luajtur një rol në incident, por hetimi mbetet në ende në zhvillim dhe Irani ka mohuar përfshirjen.
“RAF Fairford”, në Gloucestershire të Anglisë, është një nga bazat kryesore në Evropë të përdorura nga SHBA-ja për operimin e bombarduesve të saj strategjikë.
Baza është përdorur për disa dekada për dislokime të bombarduesve amerikanë dhe, gjatë konfliktit të fundit me Iranin, ka shërbyer si pikë e rëndësishme për operacionet e avionëve B-1B dhe B-52.
Megjithatë, “RAF Fairford” nuk është një bazë ku bombarduesit amerikanë janë të vendosur në mënyrë të përhershme. Avionët dislokohen atje në mënyrë të përkohshme sipas nevojave operacionale.
Pentagoni nuk ka deklaruar se tërheqja nënkupton përfundimin e operacioneve amerikane me bombardues.
Përkundrazi, SHBA-ja ka theksuar se forca e saj e bombarduesve, mbetet në gatishmëri dhe se avionët mund të kryejnë misione në distanca të mëdha edhe duke u nisur nga bazat në territorin amerikan. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.