FOKUS – Spanja dënon ”demagogjinë” e Italisë për largimin nga zona Schengen
MADRID, 30 korrik /ATSH-AFP/ – Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Luis Albares denoncoi sot “demagogjinë” e Italisë, e cila ka kërkuar pezullimin e vendit të tij nga zona Schengen, pas fluksit masiv të emigrantëve në enklavën e Ceutës dhe thirri ambasadorin italian në shenjë proteste.
”Mesazhi nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani është i papërshtatshëm që vjen nga një partner dhe mik nga i cili presim solidaritet evropian, jo demagogji partiake”, deklaroi Albares në rrjetin social X, duke shtuar se do të thërriste “nesër ambasadorin italian” në Madrid.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi sot se mbështet pezullimin e Spanjës nga zona Schengen, pasi qindra emigrantë mbërritën në mënyrë të paligjshme në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku.
Në një postim në rrjetin social X, Tajani tha se është “pro mbylljes së hapësirës Schengen me Spanjën”, duke akuzuar Madridin se po nxit emigracionin e parregullt dhe të pakontrolluar.
Sipas tij, pamjet nga Ceuta tregojnë se vendimi i qeverisë spanjolle për t’u dhënë shtetësi spanjolle, dhe rrjedhimisht shtetësi evropiane, më shumë se 500 mijë emigrantëve të parregullt, krijon një efekt tërheqës dhe inkurajon trafikimin e qenieve njerëzore.
Tajani, i cili është edhe zëvendëskryeministër dhe anëtar i partisë konservatore “Forza Italia”, aleate në koalicionin e kryeministres Giorgia Meloni, kërkoi masa më të ashpra për mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Evropian.
Edhe zëvendëskryeministri tjetër italian, Matteo Salvini, lider i partisë së djathtë “Liga”, bëri thirrje për pezullimin e marrëveshjes Schengen dhe forcimin e mbrojtjes së kufijve të Evropës.
Megjithatë, pezullimi i një shteti nga zona Schengen nuk mund të vendoset në mënyrë të njëanshme nga Italia.
Një masë e tillë do të kërkonte procedura dhe vendimmarrje në nivel të Bashkimit Evropian./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.