FOKUS – Suedia dërgon sisteme “Patriot” në Poloni për mbrojtjen e ndihmës për Ukrainën
STOKHOLM, 6 tetor /ATSH-AFP/ – Suedia njoftoi sot se do të dërgojë një sistem të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Poloni, me synim mbrojtjen e një prej qendrave kryesore logjistike për transportimin e ndihmës ushtarake dhe humanitare drejt Ukrainës.
Rreth 100 ushtarakë suedezë do të shoqërojnë sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore dhe do të angazhohen për mbrojtjen e qendrës logjistike në Rzeszow, në juglindje të Polonisë, pranë kufirit me Ukrainën.
Ministrja e Jashtme e Suedisë Maria Malmer Stenergard, tha se kontributi synon të garantojë vazhdimin e mbështetjes ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.
Kontingjenti suedez pritet të mbërrijë në fillim të dhjetorit dhe do të zëvendësojë një njësi ushtarake holandeze që aktualisht kryen këtë mision.
Rzeszow ka një rëndësi të veçantë strategjike, pasi është një nga nyjet kryesore përmes të cilave kalon ndihma perëndimore drejt Ukrainës.
Për këtë arsye, mbrojtja ajrore e zonës është bërë gjithnjë e më e rëndësishme përballë rrezikut të sulmeve ruse.
Vendimi shënon gjithashtu një tjetër hap në angazhimin ushtarak të Suedisë në kuadër të NATO-s.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Stokholmi braktisi politikën e rreth dy shekujve të mosangazhimit ushtarak dhe u anëtarësua zyrtarisht në NATO në mars 2024.
Suedia ka marrë tashmë pjesë në misionet e aleancës për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Polonisë.
Vitin e kaluar, avionët luftarakë suedezë “Gripen” u angazhuan në një mision të NATO-s për sigurimin e hapësirës ajrore polake. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.