82-vjetori i Çlirimit të Tiranës, Ervin Demo: Përgjegjësia jonë është të kujdesemi për qytetin dhe banorët e tij
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në 82-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, theksoi se nderimi për sakrificën e dëshmorëve duhet të shprehet edhe përmes punës së përditshme për qytetin, kujdesit ndaj banorëve dhe zgjidhjes së problemeve të tyre.
Demo nderoi sot dëshmorët dhe të gjithë ata që luftuan për lirinë e kryeqytetit, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, nënkryetaren e Kuvendit Evis Kushi, kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ministra, prefektin e Tiranës, personalitete të shquara të qytetit dhe përfaqësues të veteranëve e familjeve të dëshmorëve.
“Ata na lanë një qytet të lirë. Ne kemi përgjegjësinë të kujdesemi për të”, theksoi ministri në mesazhin e tij.
Demo nënvizoi se kjo përgjegjësi kërkon që institucionet të jenë pranë qytetarëve, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të ndjekin zgjidhjen e problemeve që ua vështirësojnë jetën. Ai vuri theksin te puna për sigurinë e fëmijëve dhe mbështetjen e familjeve, në mënyrë që ato të ndiejnë praninë dhe kujdesin e institucioneve në jetën e përditshme.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e përcjelljes së historisë së Tiranës te brezat e rinj, duke e lidhur ruajtjen e kësaj kujtese me përgjegjësinë për të ardhmen e qytetit.
“Historinë e Tiranës duhet t’ua përcjellim brezave të rinj. Me punën tonë, duhet t’u japim edhe më shumë arsye për ta dashur këtë qytet dhe për ta ndërtuar të ardhmen këtu. Ky do të ishte edhe nderimi më i madh ndaj atyre që dhanë jetën për çlirim”, u shpreh Demo.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.