FRANCË – “Jelekët e Verdhë” planifikojnë protesta të reja të shtunën
PARIS, 19 tetor /ATSH-AFP/- Lëvizja e protestuesve të njohur si “Jelekët e Verdhë” në Francë, ka njoftuar organizimin e protestave të tjera këtë të shtunë, pas trazirave të rënda që përfshinë vendin gjatë fundjavës.
Organizatorët e protestave të fundjavës së kaluar njoftuan sot, në faqen e tyre të internetit, se më 24 tetor do të zhvillohet një “fazë e dytë” e protestave.
Demonstratat pritet të zhvillohen sërish në dhjetëra qytete dhe zona të vendit.
Protestat e “Jelekëve të Verdhë” nisën në nëntor të vitit 2018 dhe vijuan deri në fillim të vitit 2019.
Protestuesit kundërshtonin rritjen e kostos së jetesës, shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve, si dhe padrejtësitë sociale.
Lëvizja mori emrin nga jelekët e verdhë fosforeshentë që mbanin veshur shumë prej demonstruesve, për t’u dalluar lehtësisht.
Përpara protestave të fundjavës së kaluar, ishte bërë thirrje për rikthimin e kësaj lëvizjeje.
Në Paris, qeveria zhvilloi një tjetër mbledhje emergjente për të diskutuar situatën e krijuar.
“Duhet ta mbajmë si mundësi vendosjen e shtetrrethimit, nëse do të jetë e nevojshme”, deklaroi ministri për Zhvillimin Urban dhe Strehimin, Vincent Jeanbrun, për televizionin BFMTV.
Kryetari i Bashkisë së Parisit, Emmanuel Grégoire, tha dje në kryeqytetin francez kishin rifilluar plaçkitjet e dyqaneve, pas trazirave të tjera që ndodhën në qytet.
“Nuk ishte në të njëjtën përmasa si të shtunën, por kishte grupe personash që plaçkitnin dyqane në disa lagje të qytetit”, tha Grégoire për radion “France Inter”.
Sipas ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez, 351 persona u arrestuan në Paris në lidhje me trazirat e djeshme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.