MUZIKË – Selena Gomez: Përdorimi i cigareve elektronike më ka ndryshuar zërin
– Këngëtarja dhe aktorja amerikane Selena Gomez ka treguar se përdorimi i cigareve elektronike me nikotinë i ka ndryshuar zërin, sipas “Variety”.
Gomez, 34 vjeçe, tha se e ka ndërprerë përdorimin e cigareve elektronike dhe u bëri thirrje edhe përdoruesve të tjerë të heqin dorë prej tyre.
“Nuk do të jem në gjendje ta ndryshoj më zërin tim. Kam përdorur shumë cigare elektronike me nikotinë”, tha Gomez në një video të publikuar në “Instagram”.
Ajo shtoi se heqja dorë nga nikotina është shumë e vështirë.
“Nëse po kaloni të njëjtën gjë ose edhe nëse po mendoni të përdorni cigare elektronike, nuk ia vlen. Është diçka shumë e dëmshme dhe më ka ndryshuar zërin”, tha ajo.
Gomez tha se e ka patur të vështirë të qëndrojë larg nikotinës, por u bëri thirrje edhe personave të tjerë që po përpiqen ta ndërpresin përdorimin e saj, që të mos dorëzohen.
“Është vërtet e vështirë, nëse po kaloni diçka të tillë, mund t’ia dilni edhe ju”, tha këngëtarja.
Gomez e nisi karrierën si aktore që në fëmijëri, në serialin “Barney & Friends”, dhe më pas u bë më e njohur përmes serialit të Disney-t “Wizards of Waverly Place”, i transmetuar nga viti 2007 deri në vitin 2012.
Roli i saj më i fundit në film ishte ai i Jessica Del Monte në filmin “Emilia Perez”, të vitit 2024.
Ajo e nisi karrierën muzikore në vitet 2000 dhe ka publikuar tre albume me grupin e saj, “Selena Gomez & The Scene”, si dhe tre albume solo.
Gomez u martua me producentin muzikor Benny Blanco në shtator të vitit 2025.
Këngëtarja vuan nga lupusi, një sëmundje autoimune që mund të shkaktojë dhimbje të kyçeve, skuqje të lëkurës dhe lodhje. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.