FRANCË – Vendosen kufizime të lëvizjes për të miturit
PARIS, 19 tetor /ATSH-DPA/ – Për të miturit në disa qytete të Francës veriore janë vendosur kufizime të lëvizjes (orë policore), pas trazirave të rënda që ndodhën gjatë fundjavës.
Këto masa do të zbatohen fillimisht të hënën dhe të martën, nga ora 20:00 (18:00 GMT) deri në orën 06:00 në qytetet Lille, Douai, Wattignies dhe Denain – konfirmoi zyra e kryeministrit francez, Lecornu.
Duke iu referuar prefekturës së departamentit Nord, në kufi me Belgjikën, mediat franceze raportuan se detajet e këtyre kufizimeve ishin ende duke u finalizuar dhe pritej që ato të zbatoheshin në “zona të caktuara” të këtyre qyteteve.
Më herët, kryeministri Lecornu njoftoi vendosjen e kufizimeve lokale të lëvizjes, pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë në Paris.
Kjo masë erdhi si përgjigje ndaj incidenteve të rënda të trazirave dhe plaçkitjeve, të cilat shoqëruan protestat mbarëkombëtare kundër kostos së lartë të jetesës në Francë.
Lecornu theksoi se kufizimet do të jenë “të pjesshme” dhe “të kufizuara në zona shumë specifike”.
Një nga qëllimet është mbrojtja e njerëzve dhe, veçanërisht, e dyqaneve që janë prekur nga plaçkitjet.
Sipas ministrit të Tregtisë, Serge Papin, të paktën 3 000 dyqane janë dëmtuar ose plaçkitur.
Lecornu theksoi se “kaosi” ishte i përqendruar vetëm në qendrat e qyteteve.
“Vendosmëria ime për të rivendosur rendin është absolute”, deklaroi Lecornu, duke shtuar se, nëse është e nevojshme, do të përdoren të gjitha mjetet që ka në dispozicion qeveria./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.