Fushata Trump: Kamala Harris, e ligjshme për nënpresidente
Shtëpia e Bardhë pohoi të dielën që senatorja demokrate e Kalifornisë, Kamala Harris, plotëson kushtet ligjore për të qënë kandidate për nënpresidente, duke i dhënë fund një aludimi të Presidentit Donald Trump se ajo mund të mos kishte të drejtë të shërbente nëse zgjidhet në nëntor, sepse ka lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër emigrantë.
Harris, tani 55 vjeç dhe e përzgjedhur javën e kaluar nga ish nënpresidenti Joe Biden për të qenë bashkë-garuese e tij në zgjedhjet kombëtare të nëntorit, lindi në vitin 1964 në qytetin perëndimor të Oaklandit në Kaliforni. Ajo është vajza e një nëne indiane që kishte emigruar në Sh.B.A për të ndjekur shkollën e lartë dhe një babai nga Xhamajka, duke e bërë atë gruan e parë me ngjyrë të nominuar në këtë post nga një parti kryesore në Sh.B.A.
Sipas Kushtetutës, ajo është amerikane duke qënë se ka lindur në SH.B.A.
“Sipas mendimit tonë, çështja është e mbyllur,” tha këshilltari i fushatës Trump Jason Miller në një intervistë për “This Week” të kanalit ABC News.
Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows tha për rrjetin CNN se presidenti Trump e pranon që Harris ka të drejtë të shërbejë si nënpresidente nëse dyshja Biden-Harris fiton zgjedhjet e 3 nëntorit ndaj presidentit Trump dhe nënpresidentit Mike Pence që kërkojnë një mandat të dytë katër vjeçar .
Zoti Meadows tha se ai ishte më i shqetësuar për pikëpamjet politike të qendrës së majtë të zonjës Harris, të cilat kundërshtohen nga presidenti Trump dhe republikanët.
Jenna Ellis, këshilltare e lartë juridike në fushatën Trump, javën e kaluar doli me teorinë e konspiracionit se zonja Harris ishte e papërshtatshme për të kandiduar për nënpresidente për shkak të statusit të imigracionit të prindërve të saj në kohën kur ajo ka lindur.
Por zoti Miller tha: “Zonja Ellis nuk flet në emër të fushatës. Unë po.”
Fushata e zotit Biden denoncoi si “të neveritshme” pretendimet se zonja Harris ishte e papërshtatshme.
Presidenti Trump për vite me radhë ushqeu pretendimin e rremë se Barack Obama ka lindur në Kenia e jo në Hauai dhe kështu nuk kishte të drejtë të shërbente si president para se të deklaronte gjatë fushatës së tij për vitin 2016 se Obama është në fakt amerikan. Presidenti Trump i quajti javën e kaluar pyetjet e ngritura mbi legjitimitetin e zonjës Harris që të kandidojë për nënpresidente si “shumë serioze”.
Javën e kaluar Ellis promovoi një artikull opinionist në gazetën Newsweek të shkruar nga John Eastman, profesor i drejtësisë në Universitetin Chapman në Kaliforni dhe një studiues i vjetër në Institutin Claremont, një qendër e ideve konservatore.
Në artikullin e tij, Eastman vinte në pikëpyetje nëse prindërit e zonjës Harris ishin shtetas amerikanë në kohën e lindjes së saj apo “thjesht vizitorë të përkohshëm”, duke shtuar se ishte e mundur që zonja Harris “nuk i nënshtrohej juridiksionit të plotë të Shteteve të Bashkuara në lindje”.
Ellis tha, “është një pyetje e hapur, dhe mendoj se zonja Harris duhet të përgjigjet, në mënyrë që populli amerikan ta dijë me siguri që ajo është e ligjshme.”
Por Miller dhe Meadows nuk i kushtuan rëndësi komenteve të saj në intervistat e programeve televizive të së dielës, një ditë përpara hapjes së Kuvendit Kombëtar Demokrat të hënën që do të emërojë zyrtarisht dyshen Joe Biden dhe Kamala Harris për të garuar kundër dyshes Trump dhe Pence.