Futbolli shqiptar në zi, ndërron jetë ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Sopotit, Besnik Çota
Besnik Çota, një nga figurat më të spikatura të futbollit në Librazhd dhe një prej emrave më të respektuar në historinë e KF Sopotit, u nda nga jeta mbrëmjen e së mërkurës pas një sëmundjeje të rëndë.
Ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Sopotit ndërroi jetë në një spital në Tiranë, ku po merrte trajtim mjekësor. Prej vitesh ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe i ishte nënshtruar trajtimit me dializë, duke e përballuar sfidën me forcë dhe dinjitet.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka pikëlluar familjarët, miqtë, ish-bashkëlojtarët, tifozët dhe gjithë komunitetin sportiv të Librazhdit. Besnik Çota gëzonte respekt të veçantë jo vetëm për kontributin e dhënë në futboll, por edhe për vlerat e tij njerëzore.
Ai konsiderohet një prej futbollistëve më të mirë që ka nxjerrë ndonjëherë Sopoti. Në vitet ’90 u dallua si mesfushor organizator, duke spikatur për teknikën, vizionin e lojës dhe aftësinë për të udhëhequr skuadrën në fushë.
Si kapiten, Çota drejtoi Sopotin në shumë ndeshje të rëndësishme, ndërsa paraqitjet e tij e bënë një nga emrat që kanë lënë gjurmë në historinë e futbollit librazhdas.
Edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai mbeti pranë sportit, duke iu përkushtuar trajningut. Për shumë vite drejtoi ekipet zinxhir të Sopotit, ndërsa më pas mori drejtimin edhe të skuadrës së parë, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të futbollistëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.