GAZA – Ushtria izraelite vret një komandant të lartë të Hamasit
SHTUTGART, 5 tetor /ATSH-DPA/ – Forcat izraelite kanë vrarë në Rripin e Gazës një komandant të lartë të Hamasit, i cili kishte marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023 në Izrael, njoftoi ushtria izraelite, pothuajse tre vjet pas sulmit.
Sipas ushtrisë izraelite, komandanti ishte pjesë e njësisë “Nukhba”, një formacion elitar komando i krahut ushtarak të Hamasit, i cili kishte marrë pjesë në depërtimin në territorin izraelit më 7 tetor 2023.
Njësia “Nukhba” besohet se luajti një rol kryesor në organizimin dhe realizimin e sulmit.
Gjatë sulmit, rreth 1 200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazës.
Izraeli iu përgjigj sulmit me një ofensivë të gjerë ushtarake në Gaza.
Luftimet kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe shkatërrime të mëdha në territor.
Ushtria izraelite tha se komandanti i vrarë po përgatitej për sulme të tjera kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë, ndërsa njëkohësisht po punonte për rikthimin e kapaciteteve ushtarake të Hamasit.
Sipas Izraelit, këto veprime përbënin shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Megjithatë, ushtria izraelite nuk ka publikuar në njoftimin e saj detaje të plota mbi mënyrën dhe vendin e saktë ku u vra komandanti.
Një armëpushim është teknikisht në fuqi që prej tetorit 2025, por pavarësisht kësaj, ushtria izraelite vazhdon të kryejë sulme ajrore në Gaza, të cilat thotë se janë të drejtuara ndaj pjesëtarëve dhe strukturave të Hamasit./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.