Gazetaria dhe sëmundjet kronike jongjitëse, AGK dhe IHS përmbyllin nismën për raportim më cilësor
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) kanë përmbyllur në Prishtinë nismën e përbashkët për avancimin e raportimit mediatik mbi sëmundjet kronike jongjitëse dhe çështjet e shëndetit publik.
Nisma u përmbyll me tryezën “Përtej kryetitujve”, e cila mblodhi gazetarë dhe profesionistë të shëndetësisë për të diskutuar rëndësinë e bashkëpunimit mes medias dhe komunitetit shëndetësor.
Në hapje të aktivitetit folën Linda Baleta, Eksperte e Lartë për Avokim në IHS, Getoarbë Mulliqi, Drejtoreshë Ekzekutive e AGK-së, si dhe Dr. Ardita Baraku, Drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Gjatë diskutimeve u theksua nevoja që temat shëndetësore të trajtohen me më shumë kontekst, saktësi dhe mbështetje në ekspertizë profesionale, në mënyrë që publiku të ketë qasje në informacione të kuptueshme dhe të besueshme.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe diskutimi “Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe storiet që kanë rëndësi”, i moderuar nga Mulliqi. Në kuadër të tij, gazetarë dhe profesionistë shëndetësorë ndanë përvojat e tyre në raportimin e temave komplekse shëndetësore dhe diskutuan rëndësinë e përfshirjes së zërit të pacientëve dhe tregimeve njerëzore.
Në aktivitet u prezantua edhe numri special i revistës “Shëndeti”, ndërsa pjesëmarrësit diskutuan për rezultatet e nismës dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit mes medias dhe sektorit të shëndetësisë.
Sipas AGK-së dhe IHS-së, gjatë kësaj nisme janë realizuar intervista, artikuj, hulumtime gazetareske, opinione të ekspertëve dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve.
Nisma është realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet AGK-së dhe IHS-së, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i implementuar nga Swiss TPH.
Në kuadër të projektit është zhvilluar bashkëpunim edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe spitalet e përgjithshme në Pejë dhe Gjakovë. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.