TALIN – NATO: Rusia synon të përçajë aleancën dhe të dobësojë mbështetjen për Ukrainën
– Një komandant i lartë i NATO-s ka paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin po bëhet gjithnjë e më i gatshëm të marrë rreziqe dhe mund të ndërmarrë veprime më të rrezikshme, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, raportoi AP.
Gjatë një konference për sigurinë në Talin, Estoni, John Stringer, zëvendëskomandant i NATO-s në Evropë, tha se Rusia po përpiqet të përçajë vendet e NATO-s dhe të dobësojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën.
Ai paralajmëroi se NATO duhet të jetë e kujdesshme, që të mos reagojë më shumë seç duhet, pasi një reagim i tepruar mund të jetë pikërisht ajo që kërkon Moska.
Kryeministri polak, Donald Tusk dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë paralajmëruar se Rusia mund të përdorë sulme me dronë ose raketa kundër vendeve të NATO-s dhe më pas t’i paraqesë ato si aksidente.
Megjithatë, zyrtarë britanikë, baltikë dhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker thanë se aktualisht nuk ka shenja se Putini po kërkon një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me NATO-n.
Vendet evropiane kanë regjistruar raste me dronë rusë, sabotime, sulme kibernetike, zjarrvënie dhe operacione të fshehta, për të cilat Rusia është akuzuar nga autoritetet perëndimore.
Sipas AP, numri i incidenteve të dyshuara të kësaj fushate është rritur nga 59 në mars të vitit 2025 në më shumë se 210 incidente, duke përfshirë sabotime dhe sulme kibernetike.
Stringer tha se disa dronët rusë mund të hyjnë në hapësirën ajrore të NATO-s edhe për shkak të ndërhyrjeve elektronike, që i bëjnë ata të humbasin drejtimin gjatë luftës kundër Ukrainës.
Por, sipas tij, është e vështirë të përcaktohet nëse një incident është aksidental apo i qëllimshëm.
Estonia dhe vendet e tjera baltike, e konsiderojnë serioz kërcënimin rus, por thanë se një sulm i drejtpërdrejtë ushtarak ndaj një vendi të NATO-s, aktualisht duket i pamundur, pasi forcat ruse janë të angazhuara në Ukrainë dhe një sulm i tillë do të sillte reagimin e NATO-s.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se aleatët duhet të jenë të përgatitur dhe të fortë, në mënyrë që Rusia ta dijë se një sulm ndaj tyre, do të sillte një përgjigje të ashpër. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.