Gërmimet arkeologjike në Bushat zbulojnë gjurmë të një tempulli, pjesë të murit rrethues dhe një ndërtesë të…
Zbulime arkeologjike në Bushat, që dokumentojnë qytetin antik. Gërmimet arkeologjike u përqendruan në akropolin e qytetit antik, duke sjellë informacion të rëndësishme mbi hapësirën urbane, arkitekturën publike dhe periudhat e vona të përdorimit të qytetit ilir. Universiteti i Tiranës (Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore) dhe Universiteti i Varshavës (Qendra e Kërkimeve për Europën Juglindore në Antikitet) në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër realizuan kërkime arkeologjike në Bushat. Nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëhet me dije se nga gërmimet arkeologjike u zbuluan edhe gjurmët e një tempulli të madh. “Gërmimet u përqendruan në akropolin e qytetit antik (IV-I p.e.s), ku u zbuluan gjurmët e një tempulli të madh, pjesë të murit rrethues të qytetit si dhe një ndërtesë e antikitetit të vonë. Këto zbulime po sjellin gjithnjë më shumë informacion të rëndësishëm për shtrirjen e hapësirës urbane, arkitekturën e ndërtesave publike si dhe për periudhat më të vona të përdorimit të këtij qyteti ilir”, shprehet Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër. Vendbanimi i Bushatit, i shpallur së fundmi zonë e mbrojtur arkeologjike, do të pajiset së shpejti nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër edhe me sinjalistikë për vizitorët.
Gërmimet arkeologjike
Qyteti antik në Bushat, të Vaut të Dejës ku prej vitesh po kryhen gërmime arkeologjike, është përfshirë zyrtarisht në hartën e trashëgimisë kulturore të vendit. Në një nga mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale më parë miratua edhe rregullorja, që përcakton ruajtjen dhe administrimin e tij si zonë arkeologjike e kategorisë “A”. Njohja si zonë arkeologjike e kategorisë “A” i jep qytetit të Bushatit një mbrojtje të veçantë dhe parashikon ruajtjen e saj në kohë. Ndërsa në muajin gusht 2025 u bë me dije, se specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër në kuadër të procesit të punës për hartimin e zonfikimit arkeologjik dhe rregullores së administrimit për zonën arkeologjike “A” Bushat, kryen më parë inspektimin në terren. Ky inspektim konsistoi në dokumentimin fotografik të sitit me dron; hartografimin përmes marrjes së koordinatave të sitit arkeologjik në terren; pozicionimin në hartë të strukturave arkeologjike të zbuluara dhe zonave me potencial arkeologjik.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.