GJELOSHAJ: FORCIMI I TREGUT RAJONAL SJELL MË SHUMË HAPËSIRË PËR INVESTIME, ZHVILLIM DHE VENDE TË REJA PUNE
Foto: BIZNIS CG
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka theksuar rëndësinë e formave konkrete të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në zhvillimin e parqeve industriale dhe zonave të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja për biznes.
Gjeloshaj mori pjesë në konferencën “Economic Conference Montenegro 2026”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi, ku foli në panelin “One Region. One Market. One Reform Agenda”.
Gjeloshaj theksoi se Procesi i Berlinit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një hapësire ekonomike më të ndërlidhur në Ballkanin Perëndimor dhe se është e rëndësishme të vazhdohet me iniciativa konkrete që forcojnë më tej bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe lidhin ekonomitë e vendeve të rajonit.
“Kemi rezultate konkrete mbi të cilat duhet të vazhdojmë të ndërtojmë dhe të përmirësojmë më tej kushtet për zhvillimin e biznesit, në mënyrë që kompanitë të mund t’i shfrytëzojnë edhe më lehtë mundësitë që ofron tregu rajonal. Për Malin e Zi, hapi i ardhshëm është lidhja më e mirë e potencialeve tona në turizëm dhe shërbime me furnizuesit, fuqinë punëtore dhe investimet nga i gjithë rajoni i CEFTA-s. Ambicia jonë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2028 është një arsye shtesë për ta përshpejtuar këtë proces dhe për t’i përgatitur ndërmarrjet për mundësitë, por edhe përshtatjet që do të sjellë anëtarësimi”, tha Gjeloshaj.
Në përfundim të konferencës, ministri iu drejtua pjesëmarrësve me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të partneritetit “WB6 Industrial Parks Partnership Signing Ceremony”, gjatë së cilës përfaqësues të shtatë parqeve industriale dhe zonave të biznesit nga rajoni nënshkruan memorandume bashkëpunimi me partnerë nga Bashkimi Evropian.
Me këtë rast, Gjeloshaj theksoi rëndësinë e formave konkrete të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e parqeve industriale dhe zonave të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja për biznes.
“Ceremonia e sotme është një shembull i mirë i bashkëpunimit konkret që realizohet pikërisht aty ku investohet, zhvillohet biznesi dhe krijohen vende të reja pune. Parqet industriale dhe zonat e biznesit kanë potenciale të ndryshme dhe ndodhen në nivele të ndryshme zhvillimi. Ajo që i bashkon është mundësia për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e industrisë dhe investime të reja, e me këtë edhe mundësi më të mira për njerëzit që punojnë në to”, tha Gjeloshaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.