GJELOSHAJ: VOTOVA PËR STANDARD MË TË LARTË TË QYTETARËVE, NUK DUHET TË FRIKËSOHEMI NGA „EURO MODELI“
Foto: Media Biro
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar se në mbledhjen e Qeverisë ka votuar pro “Euro modelit”, përmes të cilit kryeministri Millojko Spajiq propozon rritjen e pagave minimale nga 1.000 në 1.400 euro, duke filluar nga janari.
Gjeloshaj tha se beson se ky model do të ndikojë në rritjen e ekonomisë dhe do të shërbejë si stimul për zhvillimin e saj. Ai pranoi se sektori privat mund të ketë dilema për shkak të kostove më të larta, por theksoi se rritja e pagave duhet të shihet si investim në punëtorët dhe në kompanitë.
Sipas tij, “Euro modeli” do të sjellë në treg nga 700 milionë deri në 1 miliard euro, të cilat pritet të orientohen drejt tregtisë, prodhimit dhe turizmit.
“Nuk duhet të kemi frikë nga idetë e reja. Besoj se ‘Euro modeli’ është investim. Kam votuar për një standard më të lartë të qytetarëve, pavarësisht se sipërmarrësit do të kenë kosto më të larta”, tha Gjeloshaj.
Ai kërkoi gjithashtu rritjen e mbështetjes së pakthyeshme për bizneset, veçanërisht për prodhimin dhe zgjerimin e kapaciteteve, duke theksuar se investimet në ekonomi dhe infrastrukturë janë projekte afatgjata, rezultatet e të cilave do të shihen pas pesë apo dhjetë vitesh.
Duke folur për të ardhmen e Fondit PIO, Gjeloshaj tha se garancia më e madhe për fondin është shteti dhe buxheti i tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.