GJERMANI – Ekonomistët paralajmërojnë për një krizë të rëndë buxhetore
BERLIN, 14 nëntor /ATSH-DPA/ Gjermania po shkon drejt një krize të rëndë buxhetore, paralajmërojnë ekonomistët, të cilët shprehin shqetësim për rritjen e shpenzimeve publike dhe borxhit të vendit.
“Politika aktuale buxhetore nuk mund të jetë e qëndrueshme në planin afatgjatë”, deklaroi Clemens Fuest, president i Institutit “Ifo” në Mynih, në një intervistë për gazetën “Die Welt”.
Koalicioni qeverisës i kancelarit Friedrich Merz, i përbërë nga Unioni Demokristian (CDU), partia e tij simotër bavareze CSU dhe Socialdemokratët (SPD), duhet të përcaktojë qartë prioritetet e shpenzimeve për buxhetin federal të vitit 2028.
Sipas ekonomistëve, mbrojtja dhe infrastruktura duhet të jenë ndër sektorët kryesorë që do të marrin financime.
Fuest theksoi se të gjitha shpenzimet e tjera duhet të ngrihen në nivelin aktual ose, kur të jetë e mundur, të shkurtohen.
Në të kundërt, nëse koalicioni qeverisës nuk është i gatshëm të ndërmarrë këto masa, rritja e taksave do të bëhet e pashmangshme.
Paralajmërimi vjen në një moment kur Gjermania po përgatit një buxhet me shpenzime rekord.
Komisioni i Buxhetit i Bundestagut, dhoma e ulët e parlamentit gjerman, miratoi një projektbuxhet paraprak për vitin 2027, pas gati 16 orësh negociatash.
Shpenzimet në buxhetin kryesor pritet të arrijnë një rekord prej 561 miliardë eurosh, ndërsa huamarrja e re neto vetëm në këtë buxhet do të jetë afro 123 miliardë euro.
Këtyre u shtohen edhe miliarda euro të tjera në formën e kredive përmes fondeve të posaçme.
Në total, borxhi i ri i parashikuar për Gjermaninë arrin në rreth 210 miliardë euro, duke shtuar presionin mbi financat publike.
Ekonomistët paralajmërojnë se pa një rishikim të prioriteteve dhe kontroll më të fortë të shpenzimeve, vendi mund të përballet me vështirësi serioze në financimin e politikave të tij ekonomike dhe sociale në vitet e ardhshme. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.