Gjermani sulmon me thikë dy policë në Malësi të Madhe, dyshohet se i hodhi benzinë makinës së një të riu
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Malësi të Madhe, ku dy efektivë të Policisë kanë mbetur të plagosur me thikë gjatë ndërhyrjes për ndalimin e një shtetasi gjerman.
Gjithçka ka nisur pas denoncimit të një 27-vjeçari, i cili ka pretenduar se një drejtues automjeti i kishte hedhur benzinë mbi makinën e tij, gjatë udhëtimit nga Hani i Hotit drejt Shkodrës.
Policia ka lokalizuar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan, por gjatë ndërhyrjes 47-vjeçari gjerman ka refuzuar të identifikohet dhe sipas uniformave blu, ka goditur me thikë dy efektivë.
Të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa autori i dyshuar është neutralizuar dhe shoqëruar në komisariat.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27 vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.