Përplasje, përçarje, molotovë ndaj policisë dhe trazira në disa zona, çfarë ndodhi në protestë?
Me pjesëmarrje të ulët dhe sulme sporadike me gurë e molotovë ndaj policisë, vijoi protesta e të rinjve edhe këtë të shtunë në Tiranë. Pasi larguan militantët e PD-së, protestuesit marshuan në shi nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë.
Mes tyre u panë edhe Arlind Qori dhe Erald Kapri, të cilët më herët ishin akuzuar nga drejtuesit e PD-së me argumentin se ishin ata autorët që përzunë demokratët nga protesta te Ministria e Arsimit ku u regjistruan përplasje mes dy grupimeve. Gjatë kësaj kohe, një grup të maskuarish sulmuan efektivët me gurë e molotovë, ndërsa policia ndërhyri me ujë me presion për t’i sprapsur.
Në orët e mbrëmjes, një grup protestuesish nisi sulmet drejt godinës qeveritare ku shkuan rreth orës 16:00. Një grup protestuesish të maskuar nisën të shkulin gurë nga bulevardi dhe t’i grumbullonin për sulme ndaj policisë. Disa prej tyre përdorën edhe llastiqe, ndërsa të tjerë drejtuan lazerë ndaj autobotit të ujit dhe një droni që ia dolën ta rrëzonin.
Disa molotovë shpërthyen në këmbët e policëve dhe poshtë autobotit të ujit, ndërsa uniformat blu u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Rreth orës 17:15, pas sulmeve me molotovë ndaj efektivëve dhe autobotit, policia ndërhyri me ujë me presion, duke i sprapsur protestuesit drejt Piramidës. Sulmet vijuan pranë Kullave Binjake, ku molotovët shkaktuan flakë në rrugë, të cilat u shuan nga policia.
Kundërpërgjigjja e uniformave blu me ujë me presion solli shpërndarjen e protestuesve, pjesa më e madhe drejt Parkut Rinia, ndërsa u shmangën edhe sulmet e mundshme drejt bllokut të ministrive, që më herët kanë qenë objekt sulmi.
Një grup i vogël protestuesish u grumbullua në sheshin ‘Skënderbej’ ndërsa të tjerë shkuan në rrugën “Myslym Shyri” ku shkaktuan trazira të vogla me molotovë. Disa protestues që kishin mbetur, u rikthyen në bulevard. Aty, tri vajza ishin veshur si police për Halloween për të ironizuar forcat e rendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.