Gjirokastra: Qyteti që ndryshoi në 72 orë
“TRAKU-Fest” në Gjirokastër, një zinxhir i pandërprerë me 26 veprimtari, që shkundi përgjumjen e qytetit të gurtë, i cili pretendon të jetojë me të ardhura nga turizmi kulturor. Hapja e tunelit të Luftës së Ftohtë zgjoi kureshtjen e vizitorëve
Nga Engjëll Serjani
- Në harkun kohor të 72 orëve, një “tërmet” i pandërprerë kulturor me amplitudë shumëballëshe i quajtur “TRAKU-Fest”, lëkundi shpirtrat, gurët, muret dhe sokakët e gurtë të qytetit që qëndron hijerëndë nën “ombrellën” mbrojtëse të UNESCO-s, si një trashëgimi e rrallë kulturore botërore. Qytetit të njohur të eventeve, festivaleve dhe panaireve, iu shtua edhe një festival tjetër “TRAKU-Fest” ose ndryshe Festivali i Trashëgimisë Kulturore, një risi që synon njëkohësisht kontaktin dhe njohjen e breznive të reja me trashëgiminë e rrallë të qytetin muze të Gjirokastrës dhe mundësi të shumta argëtimi për moshat e reja. “TRAKU-Fest”, që nisi mëngjesin e 31 korrikut dhe përfundoi në agim të datës 3 gusht 2014 në Gjirokastër, ishte një zinxhir i pandërprerë me 26 veprimtari të realizuara ditën dhe natën, nën dhe, mbi tokë, mbi kështjellë dhe në qiell. Ishte një event i panjohur më parë, që jo vetëm tërhoqi një masë të jashtëzakonshme të rinjsh dhe të rejash nga Jugu dhe gjithë Shqipëria, por ajo shkundi fort përgjumjen dhe plogështinë e qytetit të gurtë që pretendon të jetojë me të ardhura nga turizmi kulturor. Kjo veprimtari ofroi një numër shumë të madh aktivitetesh për çdo moshë, të shtrirë në tri ditë, duke u dhënë mundësi për të bërë zgjedhjen e dëshiruar midis konferencave shkencore akademike, festimeve dhe muzikës tradicionale, vizitave të organizuara në monument dhe site arkeologjike, filmave dokumentarë me tematikë trashëgiminë kulturore, fjetjen në një banesë 300 – 400-vjeçare, koncerte me grupet më të njohura të rajonit dhe vendit, ushqimet tradicionale, udhëtimit në histori, nën tokë, mbi tokë dhe në qiell. “Një lumë aktivitetesh paralele që të vështirësonin seriozisht zgjedhjen”, thotë studentja e studimeve master në UET, Kejsi Rizo, e cila ka mbërritur në Gjirokastër nga Tirana së bashku me vëllain e saj gjimnazist dhe me një grup bashkëmoshatarësh. “Festivali i Trashëgimisë Kulturore organizohet për herë të parë në Gjirokastër dhe përbën një nga risitë që ka ideuar dhe organizuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me mbështetjen e bankës ‘Credins’”, thotë Maria Myridinas, një nga organizatoret më aktive e stafit të veshur me bluza të bardha, mbi të cilat është stampuar logoja “TRAKU–Fest”. Pjesë e këtij stafi rinor është edhe Ajola Xoxa. “Gjirokastra, që për mua është një gur i shndritshëm diamanti në të shkuarën historike dhe të tashmen, e meriton një respekt të përjetshëm dhe kjo veprimtari, që mua më mahniti për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të moshave të reja, pa asnjë dyshim që është shumë pak. Për këtë qytet duhet bërë shumë më shumë se kaq”, thotë Xoxe. Pjesë e pandarë e stafit organizator ishte edhe stafi i bashkisë së qytetit, punonjësit e komisariatit dhe Drejtorisë së Policisë të Qarkut, përfaqësuesit e fondacionit “Gjirokastra” dhe Shoqatës së Artizanatit, tregtarët e zonës historike të Qafës së Pazarit, punonjësit e muzeve dhe institucioneve të tjera, vetë rinia e qytetit dhe banorët bujarë e mikpritës gjirokastritë. “TRAKU–Fest” është një festival, i cili qysh në startin e tij dëshmoi për një kontribut të vyer në promovimin e vlerave tona të trashëgimisë, duke ofruar një numër shumë të madh aktivitetesh tërheqëse të shtrira në tri ditë dhe kjo na nxit për të thelluar bashkëpunimin me këtë grup të rinjsh me ide dhe pasion”, thotë kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime.
Në shtëpitë monumentale të Skëndulatëve dhe Zekatëve
Dy nga banesat më të spikatura të arkitekturës tradicionale gjirokastrite, banesat Monument Kulture të Kategorisë së Parë, Skëndulatët dhe Zekatët, gjatë ditëve të festivalit u kthyen në panele të shkencës, ku emra të njohur, si studiues të historisë, arkitekturës, etnografisë letërsisë, arkeologjisë, si: Afrim Karagjozi, Artan Lame, Artan Shkreli, Linda Spahiu, Arben Xoxa, Irakli Koçollari etj., mbajtën kumtesa dhe debatuan për probleme të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës dhe rajonit të Jugut nga antikiteti deri në ditët tona. Prof. Astrit Karagjozi solli para auditorit të gjerë të dhëna të reja dhe vlerësime të papublikuara më parë për qytetin e Gjirokastrës të autorëve të ndryshëm, si: Evlia Çelebiu, Lord Bajroni, Martin Lik, Henri Hollad, Eduart Lir, Pukëvil etj. Ndërsa studiuesi Irakli Koçollari, në ligjëratën e tij, u ndal në disa të dhëna të reja arkivore për jetën dhe veprimtarinë e Ali Pashë Tepelenës. Artan Lame solli para auditorit të “TRAKU-Shkencor” disa harta dhe interpretime për zhvillimet e Luftës së Parë Botërore në territoret e banuara nga popullsia shqiptare. Problematika e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në arkitekturë dhe etnografi, si dhe disa fakte të reja shkencore mbi arkitekturën, zhvillimin, profilin e qytetit dhe vlerat etnografike u përcollën përmes ligjërimeve të studiuesit Artan Shkreli dhe mjekes pediatre Linda Spahiu, e pasionuar dhe e përkushtuar ndaj etnografisë.
Muret monumentale, ekrane të filmave për Gjirokastrën
Dy filma, dy dokumentarë dhe një film artistik që u shfaqën duke përdorur si ekran muret e shtëpive muzeore dhe karakteristike të Skëndulateve dhe Zakatëve në lagjen Palorto të Gjirokastrës, tërhoqën interesimin e pjesëmarrësve. Fillimisht u ndoq një film dokumentar për Gjirokastrën, me skenar të gazetarit të talentuar të “Top Channel”, Marin Mema, me emisionin “Shqipëria tjetër” dhe operatorit Ardian Marku. Ky film dokumentar premierë, nëpërmjet pamjeve filmike, fakteve, dëshmive gojore, dokumenteve historike dhe këndvështrimeve origjinale të autorit Marin Mema, solli para publikut “Gjirokastrën tjetër”, një qytet të rizbuluar, sidomos në disa aspekte, të cilat kërkojnë rivlerësim nga të gjithë. Ndërkaq, mbas seksionit shkencor mbi historinë e Jugut të Shqipërisë, nga antikiteti në ditët tona, që do të zhvillohej në oborrin e shtëpisë së vjetër të Zekatëve, për të pranishmit u shfaq dokumentari i hershëm i kineastit Gëzim Erebara, filmuar nga Dhimitër Anagnosti me skenar të Ismail Kadaresë. Ky dokumentar, i realizuar rreth 30 vjet më parë, u pëlqye dhe u duartrokit gjatë nga të pranishmit për emocionet e thella që ngjallën përshkrimet e shkrimtarit Ismail Kadare për qytetin e lindjes, kamerën magjike të Dh. Anagnostit, si dhe për imazhin dhe gjuhën realiste filmike të G. Erebarës. Pjesë e programit dhe me interes për vizitorët ishte edhe ekspozita fotografike e studiuesit Artan Shkreli “Vizione të përthyera të Luftës së Madhe”, e cila u çel dhe qëndroi e hapur gjatë të gjitha ditëve në ish-kafe “Festivali”, në hyrje të Qafës së Pazarit të Vjetër të qytetit.
Vizitë në tunelin antibërthamor të Luftës së Ftohtë
Befasi dhe interes të jashtëzakonshëm treguan pjesëmarrësit e rinj në ditët e festivalit “TRAKU-Fest” për tunelin e ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë në Gjirokastër, një labirint i vërtetë betoni ndërtuar në një hapësirë të madhe poshtë themeleve shekullore të kështjellës dhe shtëpive monumentale prej guri të Gjirokastrës. Ky qytet i nëndheshëm është ndërtuar rreth viteve ’80, dhe të paktën deri në fillim të viteve ‘90 mjediset e këtij tuneli kanë qenë të ndaluara për t’u parë më parë nga vizitorët. Tuneli, që ndryshe konsiderohet si vendstrehim antibërthamor, është ndërtuar në kulmin e Luftës së Ftohë, vite kur Shqipëria ishte e vetizoluar dhe kjo ngrehinë e fshehur nën dhé, dëshmi e ndjenjës paranojake të ish-regjimit komunist, është e përbërë nga 56 dhoma. Ekspertët e ndërtimit hamendësojnë se vlera e përgjithshme e këtij ndërtimi mund të shkojë deri në 80 milionë euro. “Nuk ka ndonjë vlerësim të saktë, por janë rreth 80 milionë euro që pothuajse flenë, ndaj kjo mund të jetë një mundësi për të tërhequr vizitorët. Interesi është shumë i madh, pasi ne e kemi testuar interesin e vizitorëve të huaj. Ne mendojmë të bëjmë punime restauruese. Konstatuam një interes të madh të të rinjve, ndaj jam i sigurt që një muze i tillë, kushtuar Luftës së Ftohtë, do të ndihmonte që gjeneratat e reja që nuk e kanë jetuar, të kuptojnë më mirë thelbin e Luftës së Ftohtë”, thotë Sadi Petrela, drejtuesi i fondacionit “Gjirokastra”, që gjatë gjithë ditëve të festivalit e vuri veten në rolin e një ciceroni për grupet e shumta të vizitorëve.
Kalaja dhe Pazari përjetojnë netët magjike me muzikë
Si kurrë ndonjëherë tjetër, në pesë rrugët që të çojnë në Qafë të Pazarit, skena e madhe e festivaleve folklorike kombëtare dhe të gjitha mjediset e kështjellës së lashtë “tundeshin si në një tërmet” nga muzika. Koncert live me grupet “OffChestra” dhe “FanfaraTirana”, elektrizuan publikun që mbushi mjediset nën pushtetin e tingujve muzikorë. Grupe të ardhura nga e gjithë Shqipëria dhe shumë të tjera të nisura që nga shtëpitë tradicionale gjirokastrite, përgjatë gjithë kohës, por sidomos në mbrëmje, patën rastin të shijojnë muzikë të të gjitha rrymave dhe ritmeve. “Traku muzikor solli një numër të madh artistësh dhe bandash muzikore, si: Hysni Zela, Blla Blla Blla, Retrovizorja & Elina Duni, grupi i njohur ‘Fanfara Tirana’, ‘Offchestra’, Dj Lura, grupi LYNX”, shprehet organizatorja Maria Myridinas. Ndërsa ministrja e Turizmit, Englantina Gjermeni, e pranishme gjatë këtyre ditëve në Gjirokastër, nënvizon se me këto ide dhe forma joshëse për rininë dhe vizitorët e huaj ne promovojmë një nga potencialet më të rëndësishme të turizmit kulturor dhe historik që kemi në Shqipëri.
Pjesë e festivalit u bënë edhe udhëtimet e organizuara në Teatrin e Adrianopolit dhe në qytetin antik të Antigonesë.