Gjithë bota gabon, vetëm Edi ynë ndriçon: Kryeministri, përballë bashkimit të madh të armiqve globalë!

Fajtor është rrjeti social, algoritmi global, urrejtja ndaj Trumpit, mediat ndërkombëtare, injoranca e njerëzve. I vetmi që nuk ka asnjë faj është Edi Rama, kjo viktimë kozmike e rrethanave të kohës. Përgjigjen e mori të prerë dhe pa ekuivok mbrëmjen e kësaj të shtune
Ligjërimi i tij para deputetëve, nën ethet e protestës që po afronte, na ofroi një tjetër leksion të pastër si evitohet përgjegjësia. Në vend të llogaridhënies shtetërore që e ka detyrim ligjor, Edi preferoi sërish strehën komode të viktimizimit.
Fajin këtë herë e ka një si bashkim i madh faktorësh globalë. Edi nuk sheh në protestën masive ndonjë shqetësim legjitim shqiptar. Kjo qenka një luftë e madhe ideologjike ku Shqipëria është si të thuash, si biçim kolaterali:
Dëgjuam fjali si “Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjie që nuk ka lindur në Shqipëri…”.
Pak më tej: “Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij…”
Për Edin, ky mobilizim i jashtëzakonshëm shqiptarësh paska ardhur nga ‘urrejtja globale’ ndaj Trumpit, nga Greqia, Irani, nga shkrirja e akullnajave. Fajtor gjithashtu është rrjeti social, algoritmi global, mediat ndërkombëtare, injoranca e njerëzve, etj, etj.
I vetmi që nuk ka asnjë faj është Edi ynë, kjo viktimë e madhe rrethanash e kohëve moderne. Në botën e tij, çdo kritikë, vendase apo e huaj, është detyrimisht ‘e verbër’, ’emocionale’ dhe e nxitur nga mllefi.
Një xhelozi botërore, e projektuar posaçërisht ndaj Edit tonë.
Ndaj në vend të dokumenteve dhe qëndrimit zyrtar sipas postit që mban, ‘i pagabueshmi’ bën sociologun, madje edhe psikiatrin e protestuesve. Sulmon gjendjen e tyre mendore e emocionale, përdor edhe të shkuarën si kontrast për t’u treguar sa i mirë që është:
“Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin drejt lagunës së saj, se i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë..” – janë fjalët e tij.
Logjikë gjeniale.
Medemek, meqë disa gjahtarë vrisnin flamingo para dhjetë viteve, ne sot nuk kemi më asnjë të drejtë t’i kërkojmë llogari Edit për betonizimin e një zone të mbrojtur, për projektet që gllabërojnë natyrën, për fatin e vetë lagunës, për sapunin kriminalizues bazuar te droga dhe korrupsioni që kërkon të na e shesë për djathë.
Kundërshtarët e këtij “modeli”? “Analfabetë që udhëhiqen nga histeria e rrjeteve sociale”, “romantikë naivë”, “bullistë online”, “fashistë”, “hajvanë”…
Kështu, i pafajmi Edi bën në fund edhe bashkimin e madh të “armiqve”:
“Bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë… I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim…”
Nuk e ka me Lulzim Bashën. Po i tregon popullit protestues organin gjenital.
Përgjigjen e mori të prerë dhe pa ekuivok mbrëmjen e kësaj të shtune. Pjesëmarrja e paprecedentë në bulevard është përplasja më e ashpër e realitetit me përrallat e tij për flamingot globale.
Dhjetëra e dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën sheshin nuk janë hije virtuale, as profile false, as robotë të fabrikuar në zyrat e propagandës së Edit. Janë njerëz prej mishi e gjaku që po i dëshmojnë “të pagabueshmit” se llogaridhënia shtetërore nuk do shmanget më me truke gjuhësore apo ligjërime prej filozofi të rremë.
Mund t’i etiketosh si “hajvanë” apo “fashistë” sa të duash nga kolltuku i rehatshëm i pushtetit, por ata njerëz nuk zbritën në rrugë as nga marazi për Trump-in dhe as nga udhëzimet e “Lulit”. Zbritën si prindër të shqetësuar, si pronarë të grabitur, si qytetarë që refuzojnë të pranojnë edhe më tej teatrin e pështirë të një klase politike që ka katër dekada që shtiret si rivale ditën, por ndan ortakërinë e grabitjes së parasë publike natën.
Përballë këtij deti njerëzish, petkat e kuruara të Edit janë më të ngushta se kurrë. Sheshi ia zhveshi përfundimisht kallajin ironisë së tij bajate.
Nga sonte, ai do udhëhiqet vetëm nga një ndjenjë. Ajo më fillestara, më primitivja dhe më njerëzorja prej tyre. Frika. Frika e pastër. Frika përballë të vërtetës që nuk e kontrollon dhe nuk e manipulon dot më.
DITA




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.