Gjykata e Apelit në Novi Sad: Fakulteti Filozofik uli në mënyrë të paligjshme pagat e punonjësve gjatë bllokadave
Ulja automatike e pagave vetëm me një shkresë të Ministrisë së Arsimit është e paligjshme; gjykata kërkon procedurë individuale, evidencë të orëve të punës dhe procedurë disiplinore për çdo punonjës
NOVI SAD – Gjykata e Apelit në Novi Sad ka hedhur poshtë ankesën e Fakultetit Filozofik në këtë qytet dhe ka konfirmuar se ulja automatike e pagave të punonjësve gjatë bllokadave studentore është bërë në shkelje të ligjit, raporton të mërkurën gazeta serbe Danas.
Më herët, Gjykata Themelore në Novi Sad kishte vendosur që Fakulteti Filozofik, si i paditur, është i detyruar t’u paguajë dy paditësve kamatën e vonuar dhe shpenzimet gjyqësore për shkak të vonesës së pagesës së pagave në periudhën prill–qershor 2025. Sipas vendimit, vendimet e ministrisë kompetente nuk e përjashtojnë përgjegjësinë e Fakultetit Filozofik për mosrespektimin e kontratës së punës dhe të ligjit.
„Nuk mund të mohohet pagesa e pagës së plotë të punonjësve në bazë të një shkrese të përgjithshme të Ministrisë së Arsimit, e cila do të vlente për të gjithë punonjësit dhe për të gjitha institucionet e arsimit të lartë, por për secilin punonjës duhet të zhvillohet një procedurë individuale, në nivelin e çdo fakulteti, përmes dekanit, për të hetuar nëse punonjësi ka refuzuar të punojë, pra nëse ka shkelur detyrimin e punës apo disiplinën e punës”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Gjykata shton se vetëm pas zhvillimit të procedurës disiplinore dhe nëse vërtetohet përgjegjësia e punonjësit, mund të mbahet paga, por në rastin konkret kjo nuk është provuar, pasi i padituri, si punëdhënës, nuk ofron prova se ka zhvilluar një procedurë të tillë ndaj paditësve si punonjës dhe se ka vërtetuar përgjegjësinë e tyre.
„Pezullimi automatik i pagesës së një pjese të pagës së paditësve, vetëm në bazë të shkresës së Ministrisë së Arsimit, është i paligjshëm”, thuhet në vendimin që profesori Vladimir Mihić e ka publikuar në rrjetet sociale.
Në vendim thuhet gjithashtu se „paga nuk mund të ulet pa një vendim individual për çdo punonjës; pa një evidencë të saktë të orëve efektive të punës për çdo punonjës; dhe pa një procedurë disiplinore të zhvilluar më parë ndaj punonjësit, për të hetuar nëse ndërprerja e punës ka ardhur për faj të punonjësit, krejt në kundërshtim me argumentimin e ankesës”.
Mihić, i cili në fillim të verës mbeti pa punë në Fakultetin Filozofik – ndërsa ekspertët ligjorë e kanë vlerësuar këtë si pasojë të një përllogaritjeje politike me mospajtuesit në Universitetin e Novi Sadit, pasi, siç kanë theksuar, Mihić plotësonte të gjitha kushtet për rizgjedhjen në titullin e profesorit të asociuar – ka shkruar në rrjetin X: „U përpoqëm ta paralajmëronim drejtimin e fakultetit se në këtë betejë jemi bashkë dhe të mos na trajtonin si armiq. Si përgjigje morëm se jemi ‘analfabetë juridikë’ dhe se ‘fakultetit as që i shkon mendja t’i kundërvihet Ministrisë’”.
Sipas tij, kjo arrogancë është arsyeja e vetme për këtë dhe për shumë paditë e tjera që do t’i kushtojnë fakultetit disa milionë dinarë. Ai tha se „shumica dërrmuese e këtyre parave do të shkojë për shpenzime gjyqësore, për të cilat drejtimi insistoi t’i paguante”, edhe pse, siç tha, „që në fillim ishte e qartë se nuk mund ta fitonin çështjen në gjykatë”. „Mund të mos ankoheshin fare, të paktën do t’i kishin zvogëluar shpenzimet. Nuk e bënë. Me kokëfortësi e rrotulluan se problemi jemi ne që paditëm, e jo ata që shkelën ligjin dhe u paralajmëruan qartë dhe në kohë të mos e bënin”, tha Mihić.
Përveç tij dhe një profesori tjetër, të njëjtën padi e kanë ngritur edhe dhjetë profesorë të tjerë të Fakultetit Filozofik në Novi Sad.
(Burimi: Danas)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.