Kosova

Gjykata Speciale, Mustafa: Votat janë siguruar

Kuvendi i Kosovës pritet të vihet përpara provës për kalimin ose jo me 2/3 e votave të ligjit që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për mediat vendase ka ndarë bindjen se nisma do të votohet në seancën e sotme të Kuvendit, e kjo në përputhje me ligjet në fuqi. “Janë siguruar votat për ta votuar, nesër Kuvendi do ta tregojë. Ndryshimet e amendamenteve kushtetuese do të bëhet mbi bazën e ligjeve që janë në fuqi. Do të plotësojmë kërkesat e ndërkombëtarëve, zotimet që kemi bërë përpara tyre”, deklaroi Mustafa.  Ai ripërsëriti qëndrimin se Gjykata Speciale është detyrim ndërkombëtar që derivon nga letërkëmbimi i presidentes Jahjaga me baroneshën Catherine Ashton. Shefi i ekzekutivit kosovar i bëri këto komente pas një aktiviteti qeveritar me të rinjtë e diasporës, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.  Kuvendi i Kosovës do të votojë për të dytën herë për gjykatën speciale të hënën, pasi me 26 qershor ky institucion i tha jo krijimit të saj. Deputetët e LDK-së, ku Mustafa është kreu i saj e votuan pro më 26 qershor, e tashmë trysnia bie mbi aleatin qeveritar, kreun e PDK-së, Hashim Thaçi. Sipas Koha.net, zëvendëskryeministri Thaçi ka nisur kontaktet me deputetët “rebelë” që kanë dalë kundër votimit të Gjykatës Speciale. Si rezultat i trysnisë së Thaçit, të paktën një deputet i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka ndryshuar qëndrim dhe do të votojë pro Speciales; gjashtë deputetë të tjerë të PDK-së kanë deklaruar se ende nuk kanë vendosur, ndërkohë që sërish kundër do të votojnë: Nait Hasani, Ganimete Musliu, Fadil Demaku dhe Raif Çela. Ndërsa mësohet se Thaçi do të mbledhë të hënën deputetët e PDK-së para se të startojë seanca, e cila parashikohet që të shoqërohet me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, por dhe ndërmjet përfaqësuesve të partive qeverisëse. Opozita ka dalë kundër votimit të Gjykatës Speciale, qëndrimi i mbajtur më 26 qershor pritet të përsëritet në seancën e sotme. Opozita pritet të mbajë një qëndrim të koordinuar në seancën plenare. Riprocedimi i amendamenteve kushtetuese, që do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte, është në kundërshtim me rregullat e Kuvendit, thonë përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova po hyn në një fazë të re të funksionimit, ku më nuk vlejnë rregullat dhe nuk respektohen vendimet e Kuvendit, e as Kushtetuta. Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se në seancën e së hënës partitë opozitare janë pajtuar që të dalin me një propozim për miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë të viteve 1998 – 1999. “Si pikë të parë të rendit të ditës do ta fusim në seancën e së hënës miratimin e një rezolute, e cila së pari e dënon gjenocidin serb në Kosovë, të cilin e ka ushtruar Serbia gjatë luftës në Kosovë, pra viteve 1998/’99 dhe kjo është shumë me rëndësi. Rezoluta përmban një pikë, e cila thotë që qeveria duhet ta marrë si prioritet trajtimin e të gjitha krimeve të luftës pa përjashtim”, thekson Konjufca. Kuvendi i Kosovës nuk arriti për 5 vota të sigurojë miratimin për ngritjen e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në seancën e mbajtur më 26 qershor, duke qenë se 13 ligjvënës nga Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Hashim Thaçi, votuan kundër, abstenuan apo munguan fare nga seanca. Gjykata Speciale për Krime Lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Europës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit. Këto dhoma do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button