Gonxhja: Kalaja e Rozafës hyn në një etapë të re investimesh
Kalaja e Rozafës në Shkodër po hyn në një etapë të re zhvillimi përmes projektit “Improving Cultural Tourism Potential through the Intervention at Rozafa Castle in Shkodra”, që synon përmirësimin e aksesit publik dhe turistik në një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se projekti përfaqëson investimin më të rëndësishëm në aksesin publik dhe turistik të Kalasë së Rozafës pas shumë dekadash.
Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), me financim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, përmes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, si dhe me Bashkinë Shkodër.
“Ky është investimi më i rëndësishëm në aksesin publik e turistik në këtë monument pas shumë dekadash dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt kushteve për menaxhimin e transportit urban që sjell vizitorë, stacionin e ri të autobuzit për destinacionin kryesor të Kalasë së Shkodrës, duke nxitur promovimin e saj si një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare”, theksoi Gonxhja.
Kjo ndërhyrje synon të përmirësojë përvojën e vizitorëve dhe të forcojë promovimin e Kalasë së Rozafës si një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Investimi do të pasohet nga punime të tjera në kompleksin monumental, të orientuara drejt ruajtjes, restaurimit dhe valorizimit të vlerave historike të kalasë, me synim përcjelljen e tyre te brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë”, tha Gonxhja.
Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ajo ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.
Emrin ajo e mori bazuar mbi legjendën e Rozafës, sipas të cilës kalaja u ngrit mbi trupin e një gruaje që u sakrifikua.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.