Netanyahu: Izraeli ka mundësi historike me Trump për të hequr kërcënimin e Iranit njëherë e përgjithmonë
Kryeministri izraelit e bëri deklaratën pas orës 3 të mëngjesit në selinë e Likud-it në Jerusalem, pasi exit poll-et e zgjedhjeve e lanë bllokun e tij pa shumicë, dhe tha se Irani është më i dobët se kurrë, ndërsa Izraeli më i fortë se kurrë.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi në orët e para të së mërkurës se vendi i tij ndodhet përpara një mundësie historike për të hequr kërcënimin e Iranit njëherë e përgjithmonë, së bashku me presidentin amerikan Donald Trump. Siç njofton Reuters, Netanyahu foli pas orës 3 të mëngjesit në selinë zgjedhore të Likud-it në Jerusalem, pasi exit poll-et e zgjedhjeve të së martës i lanë të dy blloqet pa shumicën prej 61 vendesh në Knesset-in me 120 vende.
“Izraeli ndodhet përpara një mundësie të vetme historike, së bashku me partnerin tonë, presidentin Trump, për të hequr kërcënimin ekzistencial të Iranit njëherë e përgjithmonë. Por motivet e tjera nuk duhet të na shmangin nga ky mision i shenjtë”, tha Netanyahu përpara mbështetësve të tij. Ai shtoi se kjo nuk ka mbaruar për sa kohë që regjimi aktual në Teheran ekziston, sepse, sipas tij, ai do të përpiqet ta shkatërrojë Izraelin.
Netanyahu theksoi sukseset ushtarake të Izraelit kundër Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, duke thënë se Irani është më i dobët se kurrë, ndërsa Izraeli më i fortë se kurrë. Ai i atribuoi këto, siç i quajti, arritje të paprecedentë ushtarëve izraelitë dhe vendimeve të qeverisë së tij, dhe bëri thirrje për formimin e një qeverie të fortë kombëtare të djathtë.
Rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, ish-shef i shtabit dhe drejtues i partisë Yashar, e paralajmëroi Netanyahun të mos e përdorë sigurinë e Izraelit për qëllime politike. “Netanyahu është një kryeministër në detyrë, pa mandat dhe pa besimin e popullit”, tha Eisenkot, duke i bërë thirrje estabëlshmentit të sigurisë të qëndrojë i palëkundur përballë çdo përpjekjeje për të vënë interesat politike përpara sigurisë së Izraelit.
Sipas exit poll-eve të Kan 11 dhe Channel 13, të dy blloqet janë në barazim 51 me 51, ndërsa Channel 12 i jep bllokut të Likud-it një epërsi të ngushtë 52 me 49. Pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 77.7 për qind, më e larta në më shumë se dy dekada, ndërsa rezultatet përfundimtare priten të enjten ose të premten dhe negociatat për koalicion mund të zgjasin me javë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.