Gonxhja: Koncerti i Kanye West solli rreth 35 milionë euro në vend
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se eventi i madh muzikor i Kanye West në Shqipëri ka sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik prej rreth 35 milionë eurosh, duke e cilësuar ekonominë e eventeve si një sektor me rëndësi për zhvillimin dhe promovimin e vendit.
Sipas tij, koncerti solli mbi 23 mijë vizitorë të huaj dhe një audiencë prej rreth 60 mijë spektatorësh, duke krijuar qarkullim të konsiderueshëm ekonomik në sektorë të ndryshëm, ndërsa vetëm të ardhurat nga taksat kanë tejkaluar investimin e bërë për realizimin e eventit.
Ministri tha se ngjarje të tilla nuk duhen parë thjesht si aktivitete artistike, por si mundësi për të rritur turizmin, imazhin ndërkombëtar dhe për të sjellë përfitime ekonomike për vendin.
“Ekonomia e eventeve është bukë, nuk është qejf, nuk është aheng, nuk është gallatë, nuk është asgjë tjetër përveçse një ndihmë e jashtëzakonshme për të bërë një promovim i cili është në dukje indirekt, por ka bërë që ne të kishim klikime mbi 115 herë më shumë se zakonisht për Shqipërinë”, tha Gonxhja duke theksuar se, koncerti solli interes të shtuar, kuriozitet, rekomandim dhe një promovim ndërkombëtar i cili nuk kishte të krahasuar.
Sipas kreut të MTKS-së, ky lloj promovimi i arritur përmes koncertit të Kanye West, nuk mund të arrihet me forma tradicionale marketingu.
Ai theksoi se strategjia e qeverisë është që Shqipëria të bëhet pjesë e kalendarit global të eventeve të mëdha, pasi këto aktivitete sjellin jo vetëm argëtim, por edhe turizëm, investime, promovim dhe ndikim ekonomik direkt.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.