Greqi, grevë e përgjithshme e sektorit publik
Sektori shtetëror në Greqi ndodhet prej mëngjesit të së enjtes në një grevë të përgjithshme 24-orëshe të organizuar nga Konfederata e nënpunësve të administratës publike, ADEDY, kundër reformës së pensioneve që kërkon të miratojë qeveria e kryeministrit Tsipras.
Në grevë marrin pjesë gjithë nënpunësit e sektorit publik, përfshirë ata të kontrollit ajror, të shërbimit urban, organeve të tatim-taksave, si dhe mësuesit, juristët e mjekët.
Ndërkohë, mbështesin grevën me pjesëmarrjen e tyre edhe sindikatat e gazetarëve. Sipas sindikalistëve, reforma e re e pensioneve shkatërron karakterin social të sigurimeve shoqërore dhe çon në reduktime të reja të të ardhurave.
Edhe me ligjin e ri të taksave, sipas tyre, qeveria promovon rritje të reja të rëndësishme në taksat direkte dhe indirekte për të siguruar mbledhjen e të ardhurave shtesë prej gati 2 miliardë euro në vitet 2016 dhe 2017.
“Këto masa, që gjunjëzojnë të gjithë të punësuarit, varfërojnë më tej klasën produktive dhe janë shkaku që mbi 200.000 të rinj grekë me arsim të lartë të mërgojnë në vendet e tjera europiane në pesë vitet e fundit”, thotë Konfederata në reagimin e saj.
Është greva e katërt që kjo konfederatë organizon prej dhjetorit të kaluar e që ka paralajmëruar se do të përshkallëzojë protestat e saj kur projektligji do të dërgohet në Parlament për miratim.