Greqi, përleshje të dhunshme gjatë natës në Athinë
Kryeqyteti grek Athinë është kthyer sërish në arenë përleshjesh midis policisë dhe grupimeve anarkiste të cilat protestuan gjatë mbrëmjes së të premtes kundër vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry në Athinë.
Në përfundim të protestës disa qindra anarkistë u grumbulluan sërish, këtë herë në lagjien Eksarqia, prej nga lëshuan një valë sulmesh me kokteil molotov dhe gurë ndaj forcave të shumta të policisë që ndodheshin në zonë.
Përballja zgjati për disa orë nëpër rrugicat e lagjes rebele dhe bilanci i natës së dhunshme ishte 6 të arrestuar, disa makina dhe vitrina të shkatërruara. Dy persona u dërguan në spital për të marrë ndihmën e shpejtë.
Autoritetet greke thanë se janë në alarm të kuq gjatë tre ditëve në vazhdim, për shkak të përvjetorit të vrasjes së 16-vjeçarit Aleksis Grigoropullos 7 vjet më parë prej forcave të policisë.
Për shmangien e incidenteve gjatë protestave që do të zhvillohen në Athinë gjatë këtyre ditëve, policia thotë se ka në shërbim në rruget e kryeqyteit më tepër se 6.000 policë të cilët patrullojne 24 orë në rrugët e kryeqytetit helen.
Policia thotë se forcat e rendit kanë marrë urdhër të shmangin përballjen me protestuesit, por nëse tentohet të përsëriten aktet e dhunës të ndodhura gjatë viteve të kaluara, atëherë forcat e rendit do të ndërhyjnë për vënien e qetësisë.
Mes objekteve të rëndësisë së veçantë që janë vendosur nën ruajtjen e polcisë është Politekniku i Athinës, Parlamenti, ambasadat e huaja dhe kompani shumëkombëshe që operojnë në vend. Masa shtesë do të merren edhe në Selanik dhe qytete të tjera të mëdha të vendit.
Autoritetet greke thanë se kanë dyshime të bazuara në përgjime dhe informacione të mbledhura në rrugë operative, se ekstremistët anarkistë po tentojnë të krijojnë akte dhune në protestat që do të zhvillohen në përkujtim të vrasjes së Grigoropullos.