Greqi, rrëzohet helikopteri ushtarak me 5 persona në bord
Një helikopter i ushtrisë greke është rrëzuar mëngjesin e së mërkurës rreth orës 8, në një zonë malore në Greqinë e veriut, ndërsa në bordin e tij ndodheshin 5 ushtarakë; 3 pjesëtarë të ekuipazhit dhe dy oficerë.
Burime ende të pakonfirmuara informojnë se 4 persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i mjetit ushtarak, ndërsa një pjesëtare femër e ekuipazhit ndodhet e plagosur në gjendje serioze.
Bëhet fjalë për një helikopter të tipit “UH-1H”, që sipas deklaratës së Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ka humbur kontaktet me radarët në mesin e fluturimit të tij. Ai ishte nisur nga aeroporti ushtarak i Larisës, me destinacion Kozanin.
Sipas informacioneve nga Ministria e Mbrojtjes, helikopteri është rrëzuar pranë fshatit Sarantaporo dhe menjëherë është dhënë alarmi te forcat ushtarake, repartet e zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, të cilat janë nisur drejt zonës.
Helikopterët “UH-1H” i përkasin një armate të vjetër, me të cilën është pajisur ushtria greke. Helikopteri i parë i këtij tipi, prodhim amerikan, është blerë në vitin 1969.
Deri në vitin 1993, Greqia bleu 101 të tillë, hoqi vetëm 5 nga përdorimi deri në vitin 2010, ndërsa sipas udhëzimeve të kompanisë amerikane që i prodhonte, duhej të kishte ndaluar përdorimin e tyre deri në fund të vitit 2015.