MaqedoniaRajoni

Grupi i parë i refugjatëve afganë mbërriti në Shkup

Në Maqedoninë e Veriut ka arritur grupi i parë i refugjatëve afganë i përbërë nga 149 persona, të cilët më parë kanë punuar në organizatat ndërkombëtare me anëtarë të familjeve të tyre.

Maqedonia e Veriut është shprehur e gatshme të strehojë rreth 750 refugjatë afganë. Qeveria në Shkup ka vendosur t’i strehojë ata përkohësisht derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara. Grupi i parë i afganëve në aeroportin e Shkupit është pritur nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. “Solidaritetin që e kemi demonstruar ditëve të fundit, e dëshmuam edhe në vepër. Arriti grupi i parë i afganëve, që ishin të angazhuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, me të cilat kemi punuar ne dhe aleatët tanë perëndimorë. Ata pa fajin e tyre ishin të rrezikuar vetëm e vetëm pse ishin të angazhuar për demokratizimin e Afganistanit andaj edhe ne vendosim t’i strehojmë deri sa nuk arrijnë në destinacionin e tyre të fundit”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Institucionet janë të gatshme për të pritur edhe grupet e tjera, por nuk mund të saktësoj, se kur ata mund të arrijnë në Shkup, ka shtuar Osmani. Personat që vinë nga Afganistani janë ish-të punësuar në organizatën ndërkombëtare Open Goverment Partnership, Transparency International dhe ëorl Economic Forum “Me këta njerëz ndajmë vlerat e përbashkëta për liri, demokraci, paqe dhe barazi. Për fat të keq, jo me dëshirën e tyre, ata sot janë të rrezikuar, andaj ne kemi vendosur t’iu ndihmojmë tani, sot, menjëherë, kur ata kanë më së shumti nevojë për ndihmë dhe solidaritet “, është shprehur Bujar Osmani.

Afganët me autobusë specialë u dërguan në dy hotele jashtë qendrës së Shkupit ku edhe do t’i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe testeve për COVID-19. Në mesin e grupit kanë qenë edhe disa gra shtatzëna, dhe njëra prej tyre është dërguar në Spitalin Gjinekologjik të Shkupit.

Zaev: Ne e dimë sa e rëndësishme është ndihma

Vendimi për të pranuar civilët afganë nxiti reagime të shumta nga disa parti opozitare në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rrjetet sociale. Disa i vlerësonin afganët si të rrezikshëm për sigurinë e vendit. Kryeministri, Zoran Zaev ka siguruar qytetarët se vendi jo që nuk rrezikohet, por me vendimin për strehimin e afganëve ka dëshmuar humanitetin duke u rreshtuar pranë shteteve të tjera që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm. “Ne e dimë sa e rëndësishme është ndihma që i jep dikujt kur të shtrin dorën. Ne kemi parë imazhet e trazirave, marrjen e jetës së njerëzve, skena të tmerrshme. Pra qëllimi ynë përfundimtar është të ofrojmë ndihmën tonë”, ka deklaruar Zaev.

Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski thotë, se janë marrë të gjitha masat për pranim të sigurtë të afganëve që vijnë në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, lajmet që kanë për qëllim të fusin panik dhe shqetësim tek qytetarët për ardhjen e afganëve në Maqedoninë e Veriut, nuk ka jehonë të madhe në opinion, dhe kjo tregon për pjekurinë e qytetarëve dhe gatishmërinë e tyre për solidaritet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button