GUTIQ: SYNIMI ËSHTË TË JEMI PJESË E EVROPËS DHE TË RINJTË TË QËNDROJNË NË MAL TË ZI
Foto: MÇE / MEP
Ministri i Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë në Mal të Zi, Damir Gutiq, ka deklaruar se synimi i vendit nuk është vetëm anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe krijimi i kushteve që të rinjtë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Gjatë një paneli të mbajtur në Shtëpinë Evropiane në Bijello Pole, me temën “Kufij të hapur, mundësi të reja – si t’i mbajmë talentet?”, ai theksoi se sfidat demografike dhe largimi i të rinjve kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse, që përfshin zhvillimin ekonomik, punësimin, strehimin, arsimin dhe mbështetjen për familjet, veçanërisht në veriun e Malit të Zi.
“Synimi ynë nuk është që të rinjtë të zgjedhin mes Evropës dhe Malit të Zi. Ne duam që ata të jenë pjesë e Evropës, ndërsa Malin e Zi ta zgjedhin si vend për të jetuar”, tha Gutiq.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën dhe migrimit qarkullues, duke theksuar se largimi i të rinjve nuk duhet të nënkuptojë humbje të përhershme për vendin, por mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave.
Ndërkohë, ministria ka nisur hartimin e Strategjisë Demografike të Malit të Zi për periudhën 2027–2037, me synimin për të rigjallëruar demografinë, veçanërisht në veri, dhe për të siguruar zhvillim më të barabartë rajonal.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.