Tirana, Klafuriç: Tri pikë, por edhe lojë
Tirana do të ndeshet me Laçin të shtunën në stadiumin e Vorës, tashmë edhe mbi valën e entuziazmit pas fitores në derbin me Partizanin. Trajneri Dean Klafuriç tha para sfidës me bardhezinjtë se të gjithë ndihen më mirë pas suksesit në derbi, edhe pse çdo fitore ndihmon.
“Sigurisht, çdo fitore është gjë e mirë për skuadrën, për atmosferën, për tifozët, për këdo. Është gjë edhe më e bukur nëse fiton në derbi, sepse ndihet edhe më tepër nga të gjithë, kështu që mund të themi se të gjithë jemi më të çliruar nga kjo fitore”.
Kundër Partizanit, për t’u vlerësuar ishte jo vetëm rezultati, por edhe loja. Klafuriç siguron që do të vazhdojë të njëjtën gjë, edhe pse e pranon se tri pikët janë parësore.
“Tri pikë janë gjithmonë gjëja më e rëndësishme, por sigurisht që ne do të shohim edhe paraqitjen. Janë të lidhura bashkë, nëse luajmë mirë, është më e lehtë të fitojmë ndeshjen”.
Në Vorë do të luhet në fushë sintetike, por me sa duket kjo nuk është një çështje që e shqetëson trajnerin e Tiranës.
“Jo, nuk jam i shqetësuar, sepse është fushë e mirë dhe ne i kemi mundësitë të tregojmë cilësitë tona. Nuk po mendojmë për këtë gjë, vetëm për kundërshtarin”.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.