Politika

Hahn: Lungomare, kartvizita më e mirë për të prezantuar Shqipërinë në Evropë

Komisioneri i BE-së , Johannes Hahn dhe kryeministri Edi Rama në ndarjen e çmimeve të konkursit për veprat e artit në Lungomare.

Projekte të standardeve evropiane si Lungomare në Vlorë, janë modeli më i mirë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë në Evropë dhe për të justifikuar të ardhmen në Bashkimin Evropian.

Kështu deklaroi Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johannes Hahn, i cili bashkë me kryeministrin Edi Rama morën pjesë sot, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit për veprat e artit që do të vendosen përgjatë Lungomares, një projekt me vlerë 15 milionë euro, i bashkëfinancuar nga BE.

Duke theksuar rëndësinë e projektit të Lungomares jo vetëm për Vlorën, por edhe për gjithë rajonin, komisioneri Hahn u shpreh se, “kam parë shumë projekte të panumërta në Evropë që janë financuar ose jo nga BE, por nuk kam parë shumë projekte të kësaj vlere, të një ndikimi kaq të madh dhe me interes për qytetarët”.

Lungomare, tha komisioneri Hahn është kartvizita dhe ftesa më e mirë për të gjithë qytetin dhe Shqipërinë, që njerëzit të vijnë dhe të shijojnë këtë pjesë të bregdetit shqiptar. Ai theksoi se “BE ka bashkëfinancuar këtë projekt dhe po bashkëfinancon rehabilitimin dhe restaurimin e disa qyteteve në Shqipëri. Përveç kësaj, BE ka dhënë mbështetje edhe për Beratin, Fierin, Korçën, për të rehabilituar një pjesë të këtyre qyteteve.

“Nëse ju e prezantoni veten ashtu siç po bëni sot me Lungomaren, kjo është një ftesë shumë e mirë që të vijnë këtu në Shqipëri shumë evropianë, kjo justifikon të ardhmen tuaj për në BE. Nëse ju keni rezultate për projekte të tilla në të ardhmen, kjo ka për të qenë një gjë shumë e mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së”, tha Hahn.

Ai shprehu gatishmërinë  e BE-së për të mbështetur vijimin e këtij projekti edhe në fazat e mëtejshme. “Kjo tregon edhe angazhimin e fortë të BE-së për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, tha Hahn.

Komisioneri Hahn propozoi krijimin e Bulevardit të Artit në Lungomare, ku sipas tij, mund të ekspozohen të gjitha veprat e artit pjesëmarrëse në konkurs, ndërsa siguroi se “do të kthehet sërish ndoshta edhe thjesht si turist për të shijuar këtë pjesë kaq të bukur të Shqipërisë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button