HAPËSIRË – Ylli gjigant “Betelgeuse” nuk është i vetëm
– Astronomët kanë arritur një zbulim të rëndësishëm, pasi për herë të parë kanë fotografuar drejtpërdrejt yllin shoqërues të “Betelgeuse”, duke konfirmuar se ai nuk është një yll i vetëm, por pjesë e një sistemi binar, sipas Reuters.
“Betelgeuse” është një supergjigant i kuq në yjësinë e Orionit dhe një nga yjet më të ndritshëm që mund të shihet me sy të lirë. Ai ka një masë rreth 16,5 deri 19 herë më të madhe se Dielli, ndërsa diametri i tij është 750 deri 850 herë më i madh.
Shkëlqimi i tij është rreth 100 000 herë më i madh se ai i Diellit.
Ylli shoqërues, i zbuluar me Teleskopin “Very Large” në Kili, ka një masë 2,6 deri 3,1 herë më të madhe se Dielli dhe një diametër gati dyfish më të madh se ai.
Dy yjet ndodhen rreth 500 deri 600 vite dritë larg Tokës dhe rrotullohen rreth njëri-tjetrit në një distancë të ngjashme me orbitën e Saturnit rreth Diellit.
Shkencëtarët kishin dyshuar prej afro 100 vitesh se “Betelgeuse” kishte një shoqërues, por ky është konfirmimi i parë i drejtpërdrejtë.
Sipas autorit kryesor të studimit, Miguel Montarges, është befasuese që një tipar kaq themelor i një ylli kaq të njohur u zbulua vetëm tani.
Ky zbulim mund të ndryshojë edhe parashikimet për shpërthimin e ardhshëm të “Betelgeuse” si supernovë. Më parë mendohej se kjo do të ndodhte pas 10 000 deri 100 000 vjetësh, por ndërveprimi me yllin shoqërues mund ta përshpejtojë ose ta vonojë këtë proces.
Për këtë arsye, astronomët thonë se tani është shumë më e vështirë të parashikohet se kur do të ndodhë shpërthimi.
Megjithëse “Betelgeuse” konsiderohet në fazën e fundit të jetës së tij, nuk ka asnjë rrezik për Tokën. Kur të shpërthejë, do të jetë një spektakël i jashtëzakonshëm në qiellin e natës, por distanca prej qindra viteve dritë është aq e madhe sa nuk pritet të ketë pasoja për planetin tonë./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.