Hapet tenderi 8 mln euro për materiale mjekësore për Check-Up dhe hemodializën, gara ndahet në 9 lote
OSHISH ka hapur tenderin prej 726 milionë lekësh për furnizimin me kite reagente për Check-Up-in dhe hemodializën, me afat ofertash deri më 14 dhjetor 2026.
Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH) ka shpallur të premten një tender me vlerë 726,099,513 lekë, gati 8 milionë euro, për blerjen e kiteve të reagentëve për programin kombëtar të kontrollit mjekësor bazë (Check-Up) dhe shërbimin e hemodializës, siç njofton Shqiptarja.com.
Objekti i tenderit është “Blerje kite reagente për programin kombëtar të kontrollit mjekësor bazë (check up) dhe shërbimin e hemodializës për një periudhë 12 mujore”. Gara është e ndarë në 9 lote, ndërsa kompanitë fituese duhet të garantojnë furnizimin e OSHISH-it për një vit.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 14 dhjetor 2026. Ndërkohë, më 13 nëntor mbyllet edhe një tjetër tender i OSHISH-it, me vlerë 345,650,878 lekë, gati 3.8 milionë euro, për materiale mjekësore konsumi për procesin e hemodializës.
Këtë javë, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, i tha Komisionit të Ekonomisë se hemodializa ka nisur të ofrohet në spitalet publike dhe se shërbimi për 500 pacientët që kaluan në shërbimin publik ka qenë në standard të mirë. Për Check-Up-in, tha ajo, kalimi nga privati te shteti është i vështirë, pasi një tender duhej anuluar dhe rishikuar që nga fillimi.
Këto tendera vijnë pas anulimit në shtator të tenderit 50 milionë euro për hemodializën, të fituar nga Diaverum AB, kompania që kishte mbajtur koncesionin, të cilin Spahiu e anuloi duke e quajtur “Procedurë e hapur mbrapsht”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.