HARTA e zjarreve në vend, vijon lufta me flakët në Dajt dhe Dibër! Ministria e Mbrojtjes: Sot 12 vatra, 4 aktive! S’ka rre
Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar sot pasdite (29 gusht) situatën e zjarreve në vend, duke bërë të ditur se deri në orën 14:00 janë raportuar 12 vatra.
Katër prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa tre të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar gjithsej 214 forca operacionale, 6 automjete zjarrfikëse, 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.
Situata më problematike paraqitet në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe përhapje e flakëve. Në zonë po operojnë 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, 20 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me dy helikopterë.
Në Vajkal të Bulqizës janë përqendruar gjithashtu forca të shumta. Operacioni mbështetet nga një helikopter dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, forcat pyjore dhe vullnetarët.
Aktive mbeten edhe vatrat në Qafë të Helmës dhe në Sllatinë të Dibrës. Në Qafë të Helmës situata po monitorohet dhe nuk raportohet për zhvillime të reja apo rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Sllatinë janë angazhuar 78 forca nga MZSH-ja, shërbimi pyjor, ADZM-ja, bashkia dhe vullnetarët.
Vatrat e zjarrit në Komsi, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë izoluar ose ndodhen nën mbikëqyrje dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri i raportuar në Delisuf të Vlorës është shuar plotësisht. Flakët kishin përfshirë rreth 2 hektarë sipërfaqe me shkurre.
“Forcat në terren vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat problematike, me qëllim parandalimin e riaktivizimit dhe përhapjes së vatrave të zjarrit”, thotë ministria.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.