Haxhiu pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në fokus rruga euroatlantike e Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur të mërkurën delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të udhëhequr nga nënkryetari i Asamblesë, Alberto Losacco, dhe kryetari i Komisionit Politik, Sverre Myrli.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, si dhe deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Besa Kabashi-Ramaj, anëtare të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Sipas njoftimit për media të Kuvendit, gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe zhvillimet politike e të sigurisë në vend, rajon dhe Evropë.
Haxhiu theksoi rëndësinë historike të NATO-s për Kosovën, duke rikujtuar ndërhyrjen e Aleancës në vitin 1999.
“Për qytetarët e Kosovës, NATO-ja lidhet pazgjidhshmërisht me vitin 1999, kur ndërhyrja e Aleancës ishte vendimtare për t’i dhënë fund luftës, masakrave dhe spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Serbisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, duke iu referuar qëndrimit të kryetares Haxhiu.
Ajo shprehu mirënjohjen e Kosovës për ndërhyrjen dhe mbështetjen e NATO-s, duke theksuar se vendi synon të dëshmojë gatishmërinë për të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë e përbashkët.
Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë, si dhe rëndësinë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Po ashtu, vëmendje iu kushtua zhvillimeve të sigurisë në Evropë, veçanërisht agresionit rus kundër Ukrainës. Sipas njoftimit, Haxhiu rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për popullin ukrainas.
Bashkëbiseduesit trajtuan edhe sfidat që paraqesin dezinformimi dhe kërcënimet hibride, duke vënë në pah nevojën për bashkëpunim në mbrojtjen e institucioneve demokratike, besimit të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua mundësive për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, përmes kontakteve të rregullta ndërmjet komisioneve, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare në sektorin e mbrojtjes.
Në takim u diskutua gjithashtu për sigurinë e infrastrukturës kritike dhe rëndësinë e reformave të brendshme në procesin e integrimit euroatlantik.
Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga viti 2024.
Haxhiu theksoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO, duke vënë në pah rëndësinë e mbështetjes së vendeve aleate në këtë proces.
Në përfundim të takimit, kryetarja e Kuvendit falënderoi delegacionin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit parlamentar. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.