Kronika

Hetimi i CEZ, dështon dëshmia e Berishës. PD nuk lejon procesin

Dëshmia e Sali Berishës në Komisionin Parlamentar Hetimor për çështjen e CEZ-it dështoi me sukses. Pak para se në sallë të hynte ish-Kryeministri dhe deri në momentin kur ai e braktisi sallën e mbledhjeve, debati u pëqendrua vetëm tek një çështje; drejtimi i Komisionit.
Arben Ristani kërkoi largimin nga kreu i këtij Komisioni të Taulant Ballës, pasi sipas tij ishte në konflikt interesi. Ai citoi nenin 17 të Kodit të Procedurës Penale.
“Ju nuk mund të drejtoni komisionin për konflikt interesi. Jeni dënuar për shpifje ndaj familjarëve të ish-kryeministrit”, tha Ristani.
Taulant Balla reagoi.
“Këtë mbledhje e drejtoj unë. Nuk vihet në Komision me duar në xhepa. E para njëherë, nuk ka patur një vendim të formës së prerë të gjykatës për këtë”, tha Balla.
Lidhur me nenin e cituar nga Ristani, Balla u përgjigj se për këtë duhej t’i drejtohen Kuvendit.
“Për këtë çështje duhet t’i drejtoheni një institucioni tjetër që ka ngritur dhe ka ndërtuar përbërjen e këtij Komisioni”, deklaroi ai.
“Jeni në konflikt interesi. Ju nuk mund të drejtoni këtë seancë me këtë dëshmitar. Ju mund të drejtoni Komisionin me dëshmitarë të tjerë, por jo me dëshmitarin në fjalë”, deklaroi nga ana tjetër Arben Ristani.
“Këtë mbledhje e drejtoj unë dhe ky Komision është një komision hetimor parlamentar. Unë nuk jam gjyqtar. Do kisha dashur shumë që të isha gjyqtar dhe të kisha të pandehur zotërinë përballë (Berishën), por nuk jam”, reagoi Balla.
Ulsi Manja e cilësoi të shterpë debatin.
“Komisionet hetimore duhet t’i qëndrojnë rregullores së Kuvendit dhe jo Kodit të Procedurës”, tha ai.
Ndërkohë, Berisha e quajti Taulant Ballën “të pafytyrë që mashtron dhe që është dënuar nga gjykata për shpifje kundër tij”.
Pas largimit të Berishës, debati vijoi mes Taulant Ballës dhe Arben Ristanit. Balla e hodhi në votim propozimin e Ristanit për t’u larguar nga kryesimi i Komisionit dhe pas rrëzimit të këtij propozimi, vijoi puna.
Balla tha se Komisioni nuk do të tërhiqet dhe paralajmëroi sërish ish-Kryeministrin Berisha.
“Nuk do të tërhiqemi. Sipas ligjit për komisionet hetimore, është e detyrueshme që personat të thirren për të dëshmuar, dëshmitari Sali Ramë Bërisha, është thërritur për 3 herë radhazi. Sipas ligjit, nëse refuzon të paraqitet, atëherë komisioni i drejtohet policisë së shtetit që të bëjë të mundur sjelljen me forcë të dëshmitarit për të dëshmuar. I bëj thirrje dëshmitarit që të zbatojë ligjin dhe të vijë këtu me dëshirë dhe jo me forcë”, tha deputeti socialist.
Ndërsa në komision përpilohej letra e thirrjes së Berishës, ish-kryeministri jashtë kryesisë së Kuvedit tha se do të dëshmonte.
“Pa diskutim. Do pranoj vendimin e Parlamentit, por do lexoj vendimin e formës së prerë, se unë përsëri nuk do të dilja. Do të thosha që pavarësisht nga kjo do ta vazhdoj këtë seancë, por ai thotë se nuk është dënuar”, tha Berisha.
Ndërkohë, pasi Berisha u largua nga komisioni ka qenë radha e dëshmitarit tjetër, juristit Romeo Karaj, i cili tregoi fakte që implikojnë ish-ministrat dhe ish-kryeministrin në procesin e privatizimit që CEZ bëri në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button