Hoxha në SEECP: Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka hyrë në fazën më përcaktuese
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po merr pjesë në takimin Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha tha se “ajo që nisi si një aspiratë e sinqertë është shndërruar ndër vite në një projekt të qëndrueshëm dhe me ndikim të rëndësishëm”.
“Sot, SEECP qëndron si forumi politik kryesor i rajonit, duke nxitur dialogun, ndërtuar besimin dhe forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Në këtë mënyrë, ai ka dëshmuar se përgjegjësia rajonale, respekti i ndërsjellë dhe një vizion i përbashkët mund të kontribuojnë në mënyrë domethënëse për më shumë stabilitet, mirëqenie dhe integrim në të gjithë rajonin tonë”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, “bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi rajonal duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve tona të përbashkëta”.
“Procesi i Berlinit, Plani i Rritjes, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe nismat më të gjera të ndërlidhjes, përfshirë KorridorinVIII dhe projekte të tjera strategjike, vazhdojnë të ofrojnë mundësi konkrete për thellimin e integrimit ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Rruga jonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka hyrë në fazën e saj më dinamike dhe më përcaktuese. Objektivi ynë mbetet ambicioz, por realist: përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë deri në vitin 2030”, theksoi ai.
Ministri Hoxha e cilësoi këtë një proces të suksesshëm zgjerimi, i bazuar në meritë, që mund të funksionojë vetëm nëse është i besueshëm dhe i qëndrueshëm nga të dyja palët.
“Ky mirëkuptim u rikonfirmua javën e kaluar në Tivat, ku drejtuesit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për nevojën e një momenti të ri politik dhe një vizioni strategjik më të qartë në agjendën e zgjerimit. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar për të përmbushur përgjegjësitë tona dhe për të çuar përpara reformat e nevojshme për arritjen e këtij objektivi”, vijoi Hoxha.
Ministri Hoxha nënvizoi se “Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal. Ndonëse progresi i arritur deri më tani është i pamohueshëm, sfida dhe dobësi të caktuara vazhdojnë të ekzistojnë”.
“Nëse nuk adresohen, ato rrezikojnë të minojnë stabilitetin, të ngadalësojnë zhvillimin dhe të krijojnë hapësira për ndikime të jashtme që nuk përputhen me aspiratat tona të përbashkëta europiane. Për këtë arsye, bashkëpunimi më i thellë dhe ndërlidhja më e fortë mes vendeve tona nuk janë thjesht një domosdoshmëri rajonale; ato përbëjnë një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe begatinë e rajonit dhe Evropës në tërësi”, theksoi Hoxha.
/rtsh.al/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.